Maqedoni
Cilësia e ajrit në Shkup e Tetovë, Bashkimi Evropian ndan 1.1 milion euro
09.09.2015 16:33
Cilësia e ajrit në Maqedoni është në nivele alarmante të ndotjes. Për ta monitoruar cilësinë e ajrit, janë të nevojshme mjete financiare. Këto mjete mund të përfitohen nga fondet evropiane...

Euroambasadori, Aivo Orav, thotë se në Maqedoni duhet të ndërmerren masa urgjente për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe BE për këtë qëllim është e gatshme të ndajë 1.1 milion euro për një projekt që do të analizojë dhe menaxhojë pikërisht cilësinë e ajrit që thithin banorët e Shkupit dhe Tetovës.
“Ekspertët udhëheqës shëndetësor kanë dhënë dëshmi shkencore të fuqishme për ndikimin negativ të ndotjes së ajrit. Ata tregojnë se duhet të ndërmerren masa imediate që do të rezultojnë me efekte afatgjata. Duke qenë këtu disa vite, unë kam parë disa stinë të ndryshme. Në stinën e pranverës nuk shohim ndotje të madhe, por nga muaji nëntor e deri në muajin mars ndotja është e madhe, pasi që arrin nga 20 deri më 30 herë më shumë se sa që është në nivelin normal. Ne fillojmë sot një projekt për menaxhimin e cilësisë së ajrit me fonde evropiane në vlerë prej 1,1 milion eurosh”- deklaroi shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Aivo Orav.
“Krahas revizionit të dokumentit, planifikohet edhe përpunimi i planeve lokale në të cilat do të rregullohen masat afatshkurte dhe afatgjate për mbrojtjen dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit ambiental, me qëllim të përpunimit të një plani cilësor për përmirësimin e cilësisë së ajrit për qytetin e Shkupit dhe të Tetovës. Në kuadër të projektit do të zbatohet fushata për matje shtesë të përbërjes së grimcave PM10, të cilat sërish do të shfrytëzohen për përcaktimin e përqendrimit të burimit të këtyre ndotësve”- tha ministri i Ambientit Jetësor, Nurhan Izairi.
Projekti përfshin edhe aktivitete për përmirësimin e vlerësimeve të ndikimit të ndotjes së ajrit ndaj shëndetit.
Ai ka filluar të zbatohet prej muajit maj të vitit 2015 dhe do të zgjasë deri në janar të vitit 2017.
GYLTENE SINANI
