Maqedoni
MASh, vendime njëvjeçare për 22 profesorët e “Maria Kirit”
09.09.2015 17:58
Po fillon tejkalimi i problemeve në shkollën e mesme “Maria Kiri Skllodovska”...

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëjnë të ditur se janë firmosur kontratat njëvjeçare të 22 profesorëve shqiptarë të kësaj shkolle të cilët nuk kishin vendime.
Pas kërkesës së ministrit, Abdylaqim Ademi, që të ndërmerren veprime konkrete për zgjidhjen e problemit në Shkollën e Mesme të Kimisë, kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, ka kërkuar nga Inspektorati i Arsimit që në rast të konstatimit të parregullsive të shkarkojë drejtorin dhe përgjegjësin e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe.
Sipas Trajanovskit, drejtori Celeski nuk ka kompetenca të zhvendos një pjesë të paraleleve në objekt tjetër shkollor.
“Unë si kryetar i Qytetit të Shkupit kërkova nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit që të dalin në terren dhe të shohin se cila është gjendja, dhe nëse konstatohen parregullsi në këtë rast do të kërkojë shkarkim të drejtorit, por edhe përgjegjësitë për paralelet shqipe me qëllim që nxënësit të munden lirisht të ndjekin mësimin. Drejtori nuk mund të vendos se kush ku do të dislokohet, nuk ka pasur vendim për dislokim të një pjese të paraleleve të Shkollës së Mesme të Kimisë “Maria Kiri Skllodovska” në hapësirat e shkollës “8 shtatori” në lagjen Autokomandë”- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
Ndërkohë, nxënësit shqiptarë thonë se do të vazhdojnë bojkotin e mësimit deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“Kërkesa jonë si nxënës është që të mos na largojnë nga kjo shkollë se nuk i kemi kushtet të mësojmë në ASUC, sepse këtu kemi laboratorin dhe nuk mund të mësojmë te shkolla tjetër”- tha një nxënës.
“Tre vite jemi këtu, duhet të kemi kushte të barabarta me maqedonasit. Këtu e kemi praktikën dhe për këtë shkak duhet të vazhdojmë në këtë shkollë”- tha një nxënës.
“Këtu nuk po mbahet mësim, prej fillimit ka bojkot dhe drejtorit i pengon, sepse rritet vazhdimisht numri i nxënësve shqiptarë në këtë shkollë”- theksoi një nxënës.
“Ne nuk kemi as laborator atje, prandaj do të vazhdojmë bojkotin”- u shpreh një nxënës.
Drejtori Calevski as sot nuk i lejoi ekipit tonë xhirimin brenda hapësirave të shkollës. Ministri Ademi një ditë më parë kërkoi nga kreu i Shkupit, Trajanovski, shkarkimin e drejtorit, Lupço Celevski.
FLUTURA LATIFI
