Maqedoni

Prokurori special, duhen zëvendësa apo jo për prokurorin special?!

09.09.2015 18:07

Prokuror special dhe administratë në shërbim të tij apo prokuror special me një skuadër prokurorësh?!

Ky është dallimi i pakapërcyeshëm për momentin mes dy partive më të mëdha maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM.
 
Edhe pse krerët e këtyre dy partive të martën deklaruan se marrëveshja politike duhet zbatuar në tërësi dhe në veçanti prokurori special, grupi punues ende nuk ka dakorduar kornizën ligjore për themelimin e prokurorisë speciale. Ndërkaq, afati kohor për zgjedhjen e prokurorit special është 15 shatori. 
 
Jozyrtarisht mësohet se LSDM-ja kërkon që prokurori i ri special të ketë 12 zëvendësprokurorë, me qëllim që institucioni ad hok të jetë më funksional dhe njëkohësisht të mund të zhvillohen më tepër procese gjyqësore. Por, ky propozim rezulton i papranueshëm për VMRO-DPMNE-në, e cila gjykon se ky propozim është antikushtetues.
 
Sipas palës maqedonase në pushtet, ky propozim nënkupton themelimin e një sistemi paralel gjyqësor dhe pavarësisht marrëveshjes politike një zgjidhje të tillë mund ta hedh poshtë Gjykata Kushtetuese.       
Partia e Gruevskit pranon vetëm mundësinë që prokurori special të ketë bashkëpunëtorë profesional dhe buxhet të ndarë, çdo gjë tjetër konsiderohet jashtë kornizës së Marrëveshjes politike të 2 qershorit.
Edhe pas takimit të sotëm, palët e përfshira në grupin e punës kanë njoftuar se kanë nevojë për konsultime shtesë brenda partive përkatëse.
 
Në ndërkohë, eurokomisioneri për zgjerim, Johanes Han, ka paralajmëruar vizitën e tij në Shkup për më 18 shtator, me qëllim që të dëgjojë për progresin dhe rezultatet në zbatimin e marrëveshjes politike të qershorit dhe respektimin e afateve. 
 
Dështimi i mundshëm për të dakorduar prokurorin special mund të rrezikojë vazhdimin e dialogut të nivelit të lartë, i cili po ashtu duhet të mbahet gjatë kësaj vizite, por edhe procesin në tërësi. 
 
SHPËTIM NUREDINI