Kriza e emigrantëve, edhe ShBA do të pranojë refugjatë të luftës
Ushtria hungareze ka nisur stërvitjen për t’u vendosur në kufirin jugor, në përpjekje për të ndaluar fluksin e emigrantëve...

Budapesti planifikon të dërgojë ushtrinë që të ndihmojë policinë në kufi, ku mijëra emigrantë arrijnë nga Serbia çdo ditë. Gardhi me tela tashmë është duke u ndërtuar përgjatë kufirit, ndërsa deputetët pritet të votojnë për kontrolle më të rrepta kufitare gjatë këtij muaji, derisa vendi pret 40.000 emigrantë javën e ardhshme.
Danimarka, ndërkohë, ka lejuar lëvizjen e trenave drejt Suedisë, pas bllokimit të një dite më parë që la dhjetëra emigrantë në pritje në stacionin hekurudhor në qytetin kufitar të Flensburgut. Klandestinët, kryesisht sirianë, thanë se nuk donin të qëndronin në Danimarkë, por të vazhdonin rrugën për në Suedi, Norvegji apo Finlandë. Në ndihmë të klandestinëve të bllokuar në stacion mbërritën dhjetëra vullnetarë, të cilët u ofruan t’i transportonin me makina për në Suedi.
Edhe Shtetet e Bashkuara u zotuan të pranojnë një numër më të madh refugjatësh që përpiqen t’i shpëtojnë luftërave në Siri dhe gjetkë, edhe pse Evropa bëri të njohur një plan kuotash të detyrueshme për vendet evropiane, që ata të marrin nga 160 mijë emigrantë.
Pas takimit me ligjvënësit në Kongres, sekretari i Shtetit, John Kerry, tha se po shqyrtohet me kujdes shifra e refugjatëve të cilët mund t’i marrim në kushtet e krizës në Siri dhe në Evropë.
Dje, kreu i KE-së, Zhan Klod Junker, u bëri thirrje ministrave të Brendshëm të BE-së që ta miratojnë planin e sistemimit të emigrantëve javën e ardhshme. Sipas planit, Gjermania, Franca dhe Spanja do të pranojnë në vendet e tyre numrin më të madh të emigrantëve, të pasuar nga Polonia, Holanda Rumania, Bullgaria dhe Suedia. Por, ideja e kuotës kundërshtohet me ngulm nga Hungaria dhe vende të tjera të Evropës Qendrore.
