Berisha shënon dy gola për Melbourne Victory

10.09.2015 13:34

Berisha ka shënuar në minutën e 27-të golin e parë dhe të katërtin e të fitores në minutën e 92-të. Largësia e madhe me kontinentin europian ka bërë që ai të mbetej jashtë planeve me Kombëtaren shqiptare...

Besart Berisha nuk i ndahet zakonit të vjetër. Ai ka shënuar 2 gola në një ndeshje miqësore në prag të startit të kampionatit australian të futbollit. Sulmuesi kosovar, dikur pjesë e Kombëtares shqiptare, tani luan me Melbourne Victory në Australi, teksa sezonin e kaluar u shpall kampion.

Sot, në ndeshjen miqësore me Hume City, skuadra e tij ka fituar 4-3. Berisha ka shënuar në minutën e 27-të golin e parë dhe të katërtin e të fitores në minutën e 92-të, një dopietë që e “fut në shina” për të qenë kandidatura e parë për “Këpucën e Artë”.

Kujtojmë që Berisha është shpallur dy sezone më parë edhe golashënuesi më i mirë në kampionatin australian, madje është zgjedhur edhe futbollisti i vitit, duke ia kaluar edhe De Pieros, që asokohe luante në Australi.

Largësia e madhe me kontinentin europian ka bërë që ai të mbetej jashtë planeve me Kombëtaren shqiptare. De Biazi e ka përmendur në një deklaratë të tijën, duke thënë që, nëse Besart Berisha do të ishte duke luajtur në Europë, me gjithë ato gola dhe performancë të mirë, me siguri do të ishte kontigjent i grupit kuqezi, por distanca e largët e penalizon shumë sulmuesin kosovar, që është aktivizuar në 17 ndeshje me përfaqësuesen shqiptare, duke realizuar edhe një gol.