Maqedoni

Ligj për ndërmjetësim të kontesteve sociale së shpejti do të zbatohet në Maqedoni

10.09.2015 15:31

Në Maqedoni shumë shpejt do të fillojë të zbatohet Ligji për ndërmjetësimin e kontesteve sociale...

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale së bashku me trajnues të specializuar nga Bashkimit Evropian është duke i trajnuar 18 kandidatë prej gjithsej 90 që duhet t’i ketë vendi për zgjidhjen e këtyre rasteve.
 
Qëllimi kryesor i këtij projekti është që të përforcohet dialogu social, të praktikohet marrëveshja kolektive dhe të vihen në funksion mekanizma të qarta që do të mundësojnë më pas mosmarrëveshjet e punëdhënësve dhe punëtorëve të zgjidhen jashtë procedurave gjyqësore, duke shpenzuar kështu kohë dhe mjete financiare. 
 
“Ai që do të punojë si ndërmjetësues të kontesteve sociale është person i cili u jep ndihmë palëve të përfshira me qëllim që të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre në një mënyrë të lehtë, duke e respektuar ligjin dhe marrëveshjen sociale. Ndërmjetësuesi i ndihmon palëve që në një mënyrë neutrale të arrijnë marrëveshje të drejtë, pa i imponuar zgjidhje paraprakisht”- deklaroi sekretari shtetëror në MPPS-së, Enver Husein.
 
Rastet për zgjidhjen e qetë të kontesteve sociale do të mund të paraqiten në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe të njëjtat mund të dorëzohen individualisht dhe në mënyrë kolektive. 
 
“Për momentin është duke vijuar trajnimi i grupit të dytë me të cilin përmes këtij trajnimi përpiqemi t’u japim të gjitha aftësitë e nevojshme për realizimin e kësaj pune”- tha trajnuesi special nga BE-ja, Sillvan Baflli.
 
Projekti për përforcimin e dialogut social financohet nga Bashkimi Evropian. Paga e  një ndërmjetësuesi do të përllogaritet në varësi të kontestit që e punon. Çmimi i tyre fillon prej 1.800 denarë deri më 5.000 denarë, ndërsa afati i zgjidhjes së këtyre rasteve është 30 ditë. 
 
REXHEP QAMILI