Maqedoni
Rasti i Sopotit, Raufi: prokurori special, arsyeja e anulimit
10.09.2015 16:14
Gjykata Penale në Shkup përsëri anuloi seancën e sotme gjyqësore për rastin e Sopotit...

Gjykata Penale në Shkup përsëri anuloi seancën e sotme gjyqësore për rastin e Sopotit, në të cilën duhej të merret vendim rreth kërkesës së avokatëve për ndarje të deklaratës së dëshmitarit, Ramadan Bajramit, nga proces verbali.
Sipas avokatit, Naser Raufi, kjo dëshmi nuk duhet të merret parasysh, pasi është në kundërshtim me Ligjin për procedurë penale dhe Kushtetutën.
Të gjitha të dhënat tregojnë se deklarata është thënë nën presion fizik dhe psikik, dhe se i njëjti më pas e ka tërhequr të njejtën.
Anulimi i seancave gjyqësore për këtë rast, sipas Raufit, ndodh për shkak të prokurorit special, i cili duhet t’i trajtojë rastet që janë përfshirë në përgjimet e publikuara nga opozita.
“Ju e dini që ky dëshmitar ka dhënë 3 herë deklaratë dhe çdo deklaratë e tij ka qenë e njëjta, përveç ajo te gjykatësi hetues dhe para organeve të MPB-së, ku ka qenë i dhunuar dhe këto deklarata janë me shpjegim se në çfarë torture ka qenë i njëjti që të japë ashtu deklaratë. Ju e dini që ky rast u argumentua edhe me të ashtuquajtura “bomba” të opozitës, u demaskua rasti dhe u argumentua se është rast i montuar. Ndoshta prokurori special është arsyeja pse anulohet, pasi sipas mendimit tim ky prokuror do t’i punojë të gjitha rastet të cilat kanë të bëjmë me bisedat e përgjuara dhe mendoj se kjo është arsyeja kryesore se pse vjen deri te anulimi i rastit”- deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Pafajësinë e sopotasve më herët e kanë theksuar ambasadori i NATO-s, Nikollas Bigmane, dhe kryeministri i atëhershëm i vendit, Vllado Buçkovski, në Komisionin Anketues për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut pranë Parlamentit.
Për pafajësinë e spotasve u publikuan edhe disa biseda të përgjuara në të cilat ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, dhe drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, pranojnë se të akuzuarit janë të pafajshëm.
Sulejman Sulejmani, Hasan Klaiqi, Samet Lutfiu, Shaban Limani, Shaqir Sulejmani, Bashkim Ukshini, Musa Klaiqi, Zenel Klaiqi, Selman Jahiu, Samet Limani dhe Afrim Ukshini janë 11 personat e akuzuar për rastin e Sopotit për shkak të incidentit që ndodhi në vitin 2003, me ç`rast humbën jetën dy ushtarë polakë të NATO-s dhe një civil.
Ndërsa në mungesë u dënuan edhe 6 të tjerë. Seanca e radhës është caktuar më datën 21 tetor.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
