Maqedoni
Sh. M. “Marija Kiri”, shkarkohet drejtori, Lupço Celevski
10.09.2015 17:19
Inspektorati Shtetëror i Arsimit konstatoi shkelje në punën e drejtorit të Shkollës së Mesme “Marija Kiri”, Skllodovska Lupço Celevski, dhe i njëjti u shkarkua nga detyra...

Kjo ndodhi me kërkesë të ministrit, Abdylaqim Ademi, dhe kryetarit të Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, të cilët kërkuan inspektimin e punës dhe kontroll në këtë shkollë.
Ministri Ademi tha se nëse konstatohet edhe shkelje ligjore të mëtejshme ndaj Celevskit, do të ndërmerren masa disiplinore, dhe u bëri thirrje mësimdhënësve të mos përdorin nxënësit për realizimin e qëllimeve vetanake.
“Inspektorati ka kontrolluar aktivitetet në shkollë, ka konstatuar shkelje dhe shpresoj që në bazë të procesverbalit dhe rekomandimeve që janë dhënë në Qytetin e Shkupit, kryetari i Qytetit të Shkupit do ndërmarrë masa dhe të shkarkojë drejtorin e kësaj shkolle, dhe nëse konstatohen përgjegjësi të mëtejshme, të ketë edhe masa disiplinore. Do kisha apeluar që kjo të ndodh sa më shpejt dhe te të gjithë mësimdhënësit, që të krijojnë ambient pozitiv për punë dhe kushte të barabarta për nxënësit, pavarësisht cilës përkatësi etnike i takojnë dhe të mos i përdorin nxënësit për realizimin e qëllimeve të tyre, ndonjëherë edhe personale”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Sipas Ademit, udhëheqësia e re duhet të përpilojë plan për tejkalimin e shkeljeve që janë konstatuar dhe respektimin e gjuhës shqipe, e cila është zyrtare dhe duhet respektuar edhe në këtë shkollë.
“Me emërtimin e drejtorit të ri nuk do tejkalohen brenda ditës situatat e krijuara, por duhet të krijohet ambient pozitiv në kolektiv, të mos ndjehet askush i diskriminuar në bazë etnike apo gjuhësore dhe pavarësisht kush do jetë drejtor dhe përgjegjës i paraleleve shqipe, do duhet të krijojnë bashkëpunim dhe të respektojnë ligjin”- tha Ademi.
Ndërkohë, nga kjo shkollë thonë se bojkoti do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të parashtruara.
“Nuk do vazhdojmë procesin arsimor deri sa të plotësohen kushtet, si mosrespektimi i përfaqësimit në komisionet shkollore, për maturë testimet, për pranimin e kuadrit, mosemërtimin e ndihmësdrejtorit shqiptar, sepse më shumë ka shqiptarë sesa maqedonas”- tha një nxënës.
“Manipulimin e vendeve të punës për profesorët aktual, mbajtja peng e vendimeve edhe për 10 profesorë dhe mosdërgesën e mjeteve për dhjetë profesorë dhe katër nga dhjetë profesorë kanë punuar pa pagesë”- theksoi një nxënës.
Në vendin e drejtorit të deritanishëm, Celeski, do të emërtohet psikologja e shkollës.
FLUTURA LATIFI
