Maqedoni
Marrëveshja politike, Vajgel: Mosrespektimi, skenari më i keq për Maqedoninë
10.09.2015 18:04
Marrëveshja politike e qershorit është dokument i hartuar dhe nënshkruar nga të gjitha palët dhe ai nuk mund të interpretohet dhe aq më pak të ndryshohet sipas dëshirës së ndonjërës palë...

Raportuesi për Maqedoninë në PE, Ivo Vajgël, thotë se zgjedhja e prokurorit special është pjesë e marrëveshjes dhe palët duhet ta zbatojnë atë në përpikmëri.
Pa dashur të komentojë vendimin e gjykatës, e cila hodhi poshtë materialet e përgjuara si dëshmi të papranueshme, Vajgël thotë se akuzat që u zbardhën përmes bisedave të përgjuara janë një nga arsyet e krizës politike dhe duhet të hetohen. Konformë marrëveshjes politike të qershorit, pikërisht këtë obligim e ka prokurori special.
“Zgjedhja e prokurorit special është pjesë e marrëveshjes së hartuar dhe nënshkruar nga të gjitha partitë dhe ai nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës së dikujt. Mendoj se është shumë me rëndësi që të gjitha partitë të qëndrojnë pas marrëveshjes që e kanë nënshkruar”- deklaroi raportuesi për Maqedoninë në PE, Ivo Vajgël.
BE këmbëngul në zbatimin e kësaj marrëveshje, prandaj nuk kërkon zgjidhje alternative.
Mosrespektimi i kësaj marrëveshje dhe braktisja e sërishme e Kuvendit nga opozita maqedonase do të ishin skenari më i keq për Maqedoninë, thotë për TV “24 VESTI”, raportuesi për Maqedoninë në PE, Ivo Vajgël.
“Mendoj se nuk duhet të vjen deri te ajo, pasi kjo do të ishte skenari më i keq për Maqedoninë dhe për të ardhmen e saj evropiane. Në këtë drejtim unë dhe kolegët e mi, Kukan dhe Houit, nënshkruam deklaratën e përbashkët me të cilën u bëjmë thirrje të gjitha palëve në Maqedoni që t’i përmbahen marrëveshjes dhe të mos e vënë në pikëpyetje asnjë pjesë të saj, meqë pasi një herë të kenë filluar të shkelin marrëveshjen, atëherë gjërat marrin dinamikë tjetër”- tha raportuesi për Maqedoninë në PE, Ivo Vajgël.
Ndërkohë, grupi punues për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës ka vazhduar bisedimet. Disa nga negociuesit janë optimistë se marrëveshja do të arrihet edhe pse ende mbeten të hapura të gjitha propozimet për prokurorin dhe ekipin që ai do të duhet të ketë.
Nuk përjashtohet mundësia që marrëveshja të arrihet brenda kësaj jave, që propozimi të dorëzohet në kuvend, për të respektuar afatin e paraparë në marrëveshje, 15 shtatorin.
SHPËTIM NUREDINI
