Botë

Tajfuni “Etau” godet Japoninë, 900 mijë njerëz këshillohen të evakuohen

10.09.2015 18:41

Zona të tëra të Japonisë janë në gjendje emergjence pasi shirat dhe përmbytjet të shkaktuara nga tajfuni “Etau” po vazhdojnë për të dytën ditë rresht...

Tajfuni “Etau” shkaktoi erëra të forta që frynin deri në 125 km në orë në prefekturën qendrore, Aiçi, para se të lëvizte drejt detit.

Por, shirat e dendura kanë vijuar të bien në lindje të Japonisë edhe gjatë së enjtes. Zona më e prekur nga shirat dhe përmbytjet ka qenë ajo e Ibarakit, në veri të kryeqytetit Tokio.

Të paktën 15 persona kanë mbetur të lënduar, dy prej të cilëve seriozisht, pasi u përplasën nga era e fortë.

Një person konsiderohet i humbur pasi një rrëshqitje toke përfshiu një shtëpi në lokalitetin Kanuma.

Në disa zona ka pasur edhe ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa përmbytjet janë shtrirë edhe në disa pjesë të Tokios.

Kjo situatë bëri që autoritetet të këshillonin rreth 900 mijë banorë të kryeqytetit dhe zonave të tjera të vendit që të largoheshin nga banesat e tyre.