Letër e hapur e kameramanes që “shqelmoi” refugjatët sirianë (Video)

11.09.2015 10:21

Fotoreporterja hungareze Petra Lazlo, e cila kishte penguar emigrantin, gjest për të cilin edhe humbi vendin e punës, tanimë ka shkruar një letër të hapur...

Ajo ka kërkuar falje publike për atë që ka bërë, dhe në një letër të hapur të publikuar në gazetën hungareze "Magyar Nemzet" thotë se i vjen keq për çdo gjë, transmeton Telegrafi.

“Unë sinqerisht jam penduar për çfarë ka ndodhur”, ka shkruar ajo, duke marrë përgjegjësinë për atë që ajo e bëri.

Sipas letrës, të cituar nga mediat e huaja, ajo thotë se ishte në "panik", kur pa se qindra emigrantë depërtonin kordonin policor.

“Njerëzit vraponin drejt meje. Mendova se do të më sulmonin. Kam qenë disi e frikësuar. Është e vështirë të merrni vendimin e duhur kur jeni në panik”, ka shkruar fotoreporterja hungareze.

Me një apologji, ajo tregon tronditjen që ka marrë nga reagimet pas incidentit.

“Unë nuk e meritoj një gjueti shtrigash që filloi kundër meje”, ka shkruar ajo, duke shtuar se ka marrë edhe kërcënime me vdekje, transmeton Telegrafi.

Ajo konsideron se nuk është as raciste e as “pa shpirt”, siç e kanë quajtur.

“Unë jam vetëm një nënë e papunë me fëmijë të vegjël, e cila në një situatë të panikut mori vendimin e gabuar. Më vjen me të vërtetë keq”, ka shkruar më tej Lazlo.

Në disa video të publikuara gazetarja ishte shfaqur duke “shqelmuar” refugjatët që iknin në një fushë afër kampit Roeszke në Hungari. (Telegrafi)