Konsumi i energjisë, varfëria energjetike prek 80% të shkupjanëve

11.09.2015 13:49

Varfëria energjetike është problem për 80% të familjeve në Shkup, të dhënat dalin nga hulumtimi i realizuar nga Instituti për Hulumtime Sociologjike dhe Juridiko-politike në 1200 familje në kryeqendër...

Anketa e realizuar me kërkesë të Qendrës për Hulumtime dhe Informim për Ambientin Jetësor EKO-Sfest dhe Universiteti i Mançesterit në Britani shtron domosdoshmërinë që qeveria t’u ndihmojë familjeve që nuk kanë mundësi në kohë të paguajnë llogarinë mujore për energji, thonë ekspertët.

“Në Maqedoni 50 deri në 60% e popullsisë kanë problem që lidhet me varfërinë energjetike. Vlerësojmë se në Maqedoni dhe Evropë është e nevojshme politika më gjithëpërfshirëse për përmirësimin e efikasitetit energjetik të fondit banesor, sidomos izolimit termik, por edhe sistemit për ngrohje apo furnizimin me energji”- deklaroi dr. Stefan Buzharovski nga Universiteti i Mançesterit-Britani e Madhe.

Por, sipas anketës, 60% e familjeve në Çair, Gazibabë, Hekuranë apo në Shkup Veri nuk mund t’i lejojnë vetes ta ngrohin sa duhet ambientin shtëpiak.

Në pjesët tjera të Shkupit kjo përqindje është më e ulët. 40% e familjeve në lagjet e lartpërmendura nuk ia dalin të paguajnë për energjinë, ujin apo ngrohjen qendrore, derisa 90% e familjeve kufizojnë përdorimin e aparateve tjera elektrike, përfshi edhe ndriçimin që të ngrohin ambientin shtëpiak. Të dhënat tregojnë se shkupjanët, për energji shpenzojnë 18 deri në 30% të buxhetit familjar. (Gyltene Sinani, TVM2)