Hungari, video e keqtrajtimit, refugjatët ushqehen si kafshë në kampin “Rozke”

11.09.2015 16:19

Nga Hungaria kanë ardhur pamje të reja të keqtrajtimit të klandestinëve...

Videoja është filmuar në kampin “Rozke” në kufirin me Serbinë, ku policia u hedh klandestinëve ushqimin në ajër. Një grua austriake që ka filmuar pamjet thotë se emigrantët po trajtoheshin si kafshë dhe bëri thirrje që shtetet evropiane të hapin kufijtë e tyre.

Videoja publikohet në një kohë kur pritet takimi i 14 shtatorit i liderëve të BE-së për krizën e klandestinëve.

Policia hungareze, ndërkohë, ka ndaluar pranë qytetit të Budapestit një nënshtetas italian, në bordin e furgonit të të cilit gjendeshin 33 emigrantë sirianë.

Italiani 52 vjeçar është ndaluar pranë liqenit të Balatonit, e akuza e policisë hungareze ndaj tij është trafikim qëniesh njerëzore. Italiani ka pohuar se po udhëtonte drejt Gjermanisë e se vetëm ka ndihmuar emigrantët klandestinë të hipnin në furgonin e tij pasi i ka gjetur të ecnin në rrugë të rraskapitur nga i ftohti e lodhja.

Ministria e Jashtme italiane ka konfirmuar se Ambasada në Hungari po merret me verifikimet e duhura të kësaj ngjarje.