Maqedoni
Bogovinë, inaugurohet objekti i ri shkollor në Siniçan
11.09.2015 16:46
Për herë të parë, Shkolla Fillore “Sabedin Bajrami” në fshatin Siniçan të Komunës së Bogovinës do t’i presë 170 nxënësit e saj në objektin e ri...

Nxënësit e këtij fshati deri tani udhëtonin nga dy kilometra në ditë vajtje-ardhje për të ndjekur mësimet në fshatin Kamijan.
Ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, tha me këtë rast se kjo është shkolla e parë në këtë fshat dhe e quajti ditën e sotme si historike për arsimin shqip në këtë vendbanim.
“Sot këtu para jush ndjehem krenar dhe i lumtur që bashkë po lëshojmë në përdorim shkollën e re të fshatit Siniçan të Komunës së Bogovinës, por do shtoja, edhe shkollën e parë në historinë e këtij vendbanimi. 170 nxënësit e kësaj shkolle meritojnë sikur të gjithë nxënësit e tjerë në Maqedoni të disponojnë kushtet bashkëkohore për ndjekje të mësimit, kjo nënkupton objekt të ri shkollor, klasë të pajisur, mjete mësimore, e prej sot, krejt këto janë në dispozicion edhe për ju të nderuar nxënës”- ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, inkurajoji kompetentët të krijojnë kushte të mira për mësim edhe në vendbanimet e tjera shqiptare.
“I nderuar ministër i Arsimit dhe të nderuar bashkëveprimtarë dhe bashkërendues, bashkë me mua të mos ndalemi këtu, por të lëmë edhe vepra e gjurmë të tjera pas, të ndërtojmë, sepse i ndërtojmë për të mirën tonë, për bashkëqytetarët tanë dhe të ardhmen e përbashkët tonën”- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Kryetari i Komunës së Bogovinës, Hazbi Idrizi, ka theksuar se, Komuna e Bogovinës, përveç investimeve në shkollën e re të Siniçanit, ka përmirësuar kushtet edhe në disa objekte të tjera shkollore, infrastrukturore.
“Komuna e Bogovinës dhe udhëheqësia e saj gjatë kësaj periudhe kohore me theks të veçantë është fokusuar në investime në infrastrukturën shkollore në të gjitha vendbanimet e komunës sonë, pa dallim nëse është e madhe apo e vogël. Kemi investuar gjithandej, duke bërë rikonstruim të objekteve shkollore, ngrohje qendrore, kabinete dhe laboratore me qëllim të përmirësimit të procesit edukativo-arsimor”- tha kryetari i Komunës së Bogovinës, Hazbi Idrizi.
Në objektin shkollor do të mësojnë rreth 200 nxënës në dy ndejtime, në gjithsej 10 klasa. Shkolla është e pajisur edhe me kabinete për ushtrime dhe bibliotekë, ndërtimi i objektit shkollor ka filluar që nga viti 2013 dhe ka kushtuar rreth 500.000 euro.
VISAR SADIKI
