Maqedoni
Makinistët e trenave në grevë, moti i keq vështirëson rrugën e emigrantëve
11.09.2015 17:06
Makinistët e ndërmarrjes “Hekurudhat e Maqedonisë” janë në grevë për shkak të rrogave të papaguara dhe kjo ka shkaktuar kaos edhe në transportin e emigrantëve...

Dje janë nisur nga Gjevgjelia drejt Tabanocit 4 trena special me rreth 2.000 emigrantë, ndërkohë që 4 mijë emigrantë të tjerë janë transferuar me autobusë dhe taksi.
Sot në Gjevgjeli kanë kaluar rreth gjashtë mijë emigrantë të cilët udhëtojnë drejt vendeve evropiane.
4 trenat e fundit që transportuan emigrantë janë drejtuar nga makinistë që nuk janë anëtarë të Sindikatës së Makinistëve, dhe pas mbarimit të ndërrimit të tyre të punës, askush nuk i ka drejtuar trenat e tjerë që presin në Gjevgjeli.
Për shkak të grevës, emigrantët vazhdonin rrugëtimin drejt Tabanovcit me autobusë dhe taksi, madje edhe në këmbë.
Ata thonë se edhe përskaj lodhjes do të vazhdojnë rrugën e tyre për të kërkuar azil në Evropë, ndërsa destinacion më i preferuar i tyre mbetet Gjermania.
“Sot kanë kaluar gjashtë ditë që po udhëtoj dhe kam kaluar dhjetë shtete. Jam duke udhëtuar i vetëm, familjen e kam në Afganistan dhe jam brengosur për ta, sepse çdo sekondë atje ka eksplodime. Familja ime më mungon shumë, sepse nuk kam kontakte me ta. Destinacioni përfundimtar i imi do të jetë Gjermania”- tha një emigrant.
“Jam nga Siria, po udhëtoj tash gjashtë ditë, foshnjën e kam nëntë muajsh, jemi të lodhur shumë, por destinacionin përfundimtar e kemi Gjermaninë”- theksoi një emigrant.
Shirat e rrëmbyeshëm, ndërkohë, e kanë kthyer kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë në një det balte.
Të paktën 7 mijë njerëz, përfshirë dhe prindër, që zvarriten me fëmijë të vegjël në krahë, janë përleshur me forcat e policisë për të kapërcyer kufirin verior grek për në Maqedoni.
Policia kufitare greke tha se kjo ishte vala më e madhe e refugjatëve që kishin parë deri tani.
FLUTURA LATIFI
