Maqedoni

Ahmeti për shpifjet kundër BDI-së: Gënjeshtra që vijnë nga qarqe antishqiptare

11.09.2015 17:16

Marrëveshja e 2 qershorit dhe negociatat e grupeve të punës kanë qenë temë diskutimi në takimin e punës që lideri i BDI-së zhvilloi me ambasadoren e re të Kroacisë në Maqedoni, Danijela Barishiç...

Ahmeti vlerëson se zbatimi i marrëveshjes nënkupton përafrim të vendit drejt standardeve euroatlantike dhe rikthim të stabilitetit politik dhe institucional, andaj BDI mbështet zbatim të plotë të saj.
 
Lideri i BDI-së ka potencuar nevojën e rregullimit ligjor të materialeve të përgjuara në mënyrë që të garantohen kushte korrekte dhe të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në procesin politik.
 
Në lidhje me marrëdhëniet ndëretnike, lideri i BDI-së, Ahmeti, elaboroi dallimet me partitë politike për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe theksoi nevojën për përqafim të frymës së Marrëveshjes së Ohrit, në veçanti nga partitë politike maqedonase.
 
Lideri i BDI-së është takuar edhe me ambasadoren e re të Misionit të OSBE-së në Maqedoni, Nina Suomalainen. Në këtë takim gjithashtu është biseduar për Marrëveshjen e 2 qershorit dhe situatën politike në vend.
 
Lideri i BDI-së është ndalur edhe në fushatën e shpifjeve dhe konstruksioneve kundër tij dhe BDI-së, me ç’rast nënvizoi që të gjitha shpifjet vijnë nga qarqe të njohura antishqiptare që po riaktivizohen me fushata të cilat i njohim shumë mirë nga e kaluara dhe nuk kanë të bëjnë aspak me të vërtetën.
 
Të gjitha këto fushata të shpifjeve dhe konstruksioneve janë në funksion të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe bëhen me qëllime përfituese nga qarqe në fitoren e BDI-së në zgjedhjet e parakohshme të prillit të vitit të ardhshëm, por shprehu keqardhje që në këto zgjedhje vota e shqiptarëve do të përçahet në veçanti në betejën midis partive opozitare shqiptare.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI