Maqedoni

Të bëhemi humanë, “Legis” me aksion për grumbullimin e rrobave

11.09.2015 17:25

Tani kur vjeshta po afrohet dhe sezoni i shirave ka filluar, emigrantët kanë nevojë për rroba më të ngrohta...

Organizata “Legis” filloi aksionin humanitar për të mbledhur rroba të ngrohta për emigrantët.
 
Aksioni ka filluar që prej muajve të parë të këtij viti dhe do të zgjasë deri sa të mbarojë kriza me refugjatët.
 
Të gjithë njerëzit e interesuar donacionet e tyre mund t’i sjellin në lokacionet e kësaj organizate ose t’i dërgojnë në Tabanovc dhe Gjevgjeli, ku presin aktivistët e kësaj organizate.
 
“Njerëz të ndryshëm me vullnet të mirë kanë sjellë shumë gjëra për refugjatët. Zakonisht sjellin ujë dhe produkte ushqimore. Tani që ka filluar edhe stina e dimrit, duhet veshje të trasha.  Dje sidomos ishte shumë një situatë e palakmueshme në Tabanovc, ku moti është ftohur jashtëzakonisht shumë, andaj duhet rroba më së shumti për fëmijë dhe femra. Nevoja është shtuar shumë edhe me fluksin e madh të refugjatëve, tani numri arrin prej 3 mijë deri më 7 mijë në ditë, ashtu do të ketë nevojë si për njerëz edhe për donatorë”- deklaroi Shejnure Suma nga OJQ “Legis”.
 
Sektori joqeveritar apelon që të gjithë institucionet dhe qytetarët të përkrahin refugjatët  sidomos në këtë periudhë kur bien temperaturat dhe koha fillon të ftohet.
 
Gjithashtu edhe Komuna e Çairit në bashkëpunim me organizatën “Legis”, po ndihmon refugjatët sirianë në Tabanovc me 2.000 pako me gjëra ushqimore dhe rreth 500 batanije. 
 
REJHANE BUSHI-METAJ