Botë
Prokurori special, palët bëjnë përpjekjet e fundit
11.09.2015 17:33
Vetëm edhe dy ditë pune deri në afatin e paraparë për zgjedhjen e prokurorit special, palët ende nuk kanë arritur pajtim për këtë çështje...

Mësohet se mediatori i Komisionit Evropian, Piter Van Hojt, vazhdon përpjekjet për të përafruar palët edhe rreth çështjes së vetme të hapur që ka mbetur rreth institucionit ad hoc, përkatësisht rreth zëvendësve të prokurorit special.
Pas dështimit të një dite më parë për të përmbyllur këtë çështje, palët kanë vazhduar sot me takime dypalëshe me prezencën e ndërmjetësve dhe konsultimet partiake.
Jozyrtarisht mësohet se ndërmjetësit e Bashkimit Evropian sugjerojnë që prokurori special të ketë një numër të caktuar të prokurorëve. Për numrin dhe emrat të vendosë vetë prokurori special.
Jozyrtarisht mësohet se vetëm VMRO-DPMNE është kundër idesë që prokuroi special të ketë edhe zëvendësa. Madje, ajo propozon që vetë prokurori special të zgjidhet nga radhët e prokurorëve aktualë.
LSDM, nga ana tjetër, kërkon që prokuroria speciale, përveç prokurorit special, të ketë edhe 12 prokurorë nga radhët e ekspertëve, ndërsa si zgjidhje kompromisi do të pranonte që numri i zëvendësve të përgjysmohet. Edhe BDI vlerëson se prokurori special duhet të ketë zëvendësprokurorë në ekipin e tij.
BDI propozon 8 prokurorë nga radhët e prokurorëve aktualë, prej të cilëve 3 shqiptarë.
PDSH-ja kërkon që gjatë emërimit të prokurorit special dhe prokurorëve të respektohet Kushtetuta dhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat.
Një ditë më parë, euroambasadori, Aivo Orav, tha se Maqedonia do të ketë prokuror special brenda afatit të paraparë me marrëveshjen politike. Ndërkaq, raportuesi për Maqedoninë në PE, Ivo Vajgël, tha se dështimi i marrëveshjes do të ishte skenari më i keq për Maqedoninë.
SHPËTIM NUREDINI
