Botë
Prokurori special, Hojt: Njëra nga partitë e mëdha nuk e mban fjalën
11.09.2015 19:36
Grupi punues nuk mund të arrijë marrëveshje për prokurorin special pasi njëra nga partitë më të mëdha nuk e mban fjalën dhe nuk respekton marrëveshjen në përgjithësi...

Ndërmjetësuesi i BE-së Piter Van Hojt, nuk zbuloi se cila është partia që po frenon procesin, por shprehu shqetësimin për qasjen e kësaj partie politike, e cila është në kundërshtim me vlerat evropiane.
Grupi punues me ndërmjetësimin e të dërguarit special të BE-së Piter Van Hojt, në orët e mbrëmjes u takuan për të diskutuar draftin e përgatitur për amendimin e Ligjit për Prokurorë Publik.
“Përgatitëm një draft për amendimin e ligjit dhe gjithashtu kemi diskutuar rreth emrave. Sidoqoftë, dua t’ju informojë se po përballemi me problem serioze. Problemi i parë ka të bëjë me këtë. Në përgjithësi kur negocioni ju thoni se fjala është fjalë dhe nëse pajtoheni për diçka, ajo është e tëra. Nëse bëni marrëveshje për një afat të caktuar ju duhet të respektoni afatin. Mund t’ju them se njëra nga partitë më të mëdha nuk i respekton afatet dhe nuk e respekton marrëveshjen. Kjo nuk është forma për negociata dhe ju nuk mund të arrini marrëveshje nëse nuk respektoni atë që jeni dakorduar në tavolinë”, tha Piter Van Hojt, ndërmjetësues i BE-së.
Qytetarët e Maqedonisë janë përcaktuar për anëtarësimin e vendin në BE dhe kjo nënkupton edhe pranimin e vlerave të BE-së, thotë Hojt, duke shtuar se një ndër vlerat kryesore të BE-së është llogaridhënia e zyrtarëve publik para opinionit. Prokuroi special duhet të vendos këtë sistem vlerash, theksoi Hojt.
“Llogaridhënia nënkupton se çdo zyrtar publik ka përgjegjsi ndaj qytetarëve. Ka përgjegjsi t’u jep llogari qytetarëve, t’u jep sqarime se çfarë bën dhe në formë të përgjegjshme të deklarojë punën e tij që qytetarët të mund të vendosin nëse do ta përkrahin ose refuzojnë. Nëse ka çfarëdoqoftë indicie për abuzim fondesh ai duhet të hetohet. Kjo është vija e fundit. Prokurori special ka për qëllim që të vendos këtë sistem të llogaridhënësies, dhe besoj se kjo do të ndodhë kësaj here”, shtoi Hojt.
Hojt sqaroi se drafti për amendimin e Ligjit për prokuror publik do të lejojë që prokurori special vetë të caktojë se sa prokurorë do të duhen.
Nëse palët nuk bien dakord rreth kandidatit, atëherë nuk përjashtohet mundësia që ndërmjetësuesit ta propozojnë edhe kandidatin.
Hojt edhe një herë u bëri thirrje të gjitha partive politike që të respektojnë të gjitha afatet.
SHPËTIM NUREDINI
