Botë

Babai i Ajlanit ishte skafisti

11.09.2015 20:58

Zainab Abbas flet dhe qan përpara mikrofonit...

Zainab Abbas flet dhe qan përpara mikrofonit; “Mediat anembanë botës e përshkruan si viktimë, -  thotë ajo mes ngashërimave - , e pastaj e nxorrën dhe hero, por ai thjesht ka zhveshur nga shpatullat çdo përgjegjësi, sepse në fakt, ishte kapiteni i mjetit të fundosur. Ishte ai që vendoste”.
 
Personi të cilit i referohet është Abdullah Kurdi, babai i Ajlanit trevjeçar. Fotoja e trupit të pajetë të fëmijës që deti e kishte nxjerrë në brigjet e Bodrumit u shndërrua në simbolin e kalvarit të refugjatëve të nisur drejt Europes. 
 
Intervista, gjatë së cilës lëshohet akuza e rëndë është transmetuar nga televizioni arab “Eufrati”. Zainabin, spikeri e prezanton si nënën e tre fëmijëve, që së bashku me ta dhe të shoqin u përpoq të kalonin nga Turqia në Greqi me të njëjtën varkë ku ndodhej dhe Ajlani e familja e tij. Vetëm se, nga sa rrëfen ajo, gjërat nuk kanë shkuar siç pretendon Abdullah Kurdi. 
 
Skenari i përvijuar prej tij ishte ai i 12 personave që përfunduan në det pasi dikush i trembur nga deti i trazuar, u çua vrulltas në këmbë duke përmbysur varkën. Gruaja jep një version krejt tjetër. Babai i trevjeçarit ishte, sipas saj, personi që kishte varkën në ngarkim dhe situata mori të tatëpjetën kur nisi të hynte ujë. 
 
Ajo shton se bashkëshorti i vet i kishte kërkuar Ajlanit të mos vraponte, sepse ashtu do të fundoseshin të gjithë, pastaj flet për dy fëmijët e saj që vdiqën atë ditë, Zeinab e Haidar. I kërkova ndërmjetësit garanci për sigurinë tonë -, vazhdon më tej - , dhe më ai tha:  nuk gjen udhëtim më të sigurtë se ky. Kapiteni po merr me vete edhe gruan e dy fëmijët e tij të vegjël”. 
 
Për momentin nuk dihet me siguri nëse kështu është vërtet rrjedha e ngjarjeve, por në Twitter dhe Facebook njerëzit kanë nisur të pyesin: a mos vallë, kjo është arsyeja përse Abdullah kërkoi të kthehej me aq nxitim në Siri? 
 
Një tjetër grua citohet nga e përditshmja irakiane, “Shafaq News”, të pohojë se drejtuesi i varkës ishte i dehur, pa specifikuar nëse bëhej fjalë për babain e vogëlushit të mbytur.