Botë
Flamuri i Palestinës në selinë e OKB-së, Shqipëria voton pro
11.09.2015 21:34
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar me 119 vota pro...

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar me 119 vota pro, 8 kundër dhe 45 abstenim një rezolutë të paraqitur nga disa vende të BE-së dhe Ligës Arabe, që në Pallatin e Qelqtë të valëvitet dhe flamuri i Palestinës dhe ai i Vatikanit, shtete këto që nuk janë anëtare të OKB-së.
Në krahë të 119 shteteve që votuan pro është rreshtuar dhe Shqipëria, së bashku me Belgjikën, Francën, Italinë, Spanjën, Luksemburgun, Suedinë dhe një sërë shtetesh të tjera.
Ndërsa mes 8 vendeve që kanë votuar kundër rezolutës janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Australia dhe natyrisht Izraeli.
Ajo që bie në sy në këtë votim është se mes 45 vendeve që abstenuan kanë qenë edhe fuqi të mëdha europiane si Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar dhe gjithë shetet e tjera anëtare të Bashkimit Europian.
Rreshtimi i Shqipërisë në krah të vendeve që votuan pro valëvitjes së flamurit të Palestinës dhe Vatikanit, pasi ishte një votim i vetëm për të dy shtetet, u prit me habi në Tiranë, por burime nga Ministria e Jashtme bëjnë të ditur se ky votim nuk nënkupton anëtarësimin e Palestinës në OKB, por thjesht vendosjen e flamurit të saj në selinë e këtij organizmi.
Të njëjtat burime pohuan për Top Channel se ky votim dhe kjo rezolutë mund të përdoret në të ardhmen si një preçedent për të sjellë një rezolutë të ngjashme për Kosovën, në mënyrë që flamuri i këtij shteti të mund të valëvitet në seline e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
