Botë

Gjermania kritikon Rusinë për mbështetjen e Assad

12.09.2015 16:36

Pas deklaratave të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhënë gjatë ditës së premtë në të cilat pohon faktin se Rusia ka prani të shtuar ushtarake në Siri...

Pas deklaratave të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhënë gjatë ditës së premtë në të cilat pohon faktin se Rusia ka prani të shtuar ushtarake në Siri dhe se Moska do të forcojë ushtrinë e Assadit, sepse ajo është forca më efektive për të luftuar grupin ekstremist të Shtetit Islamik pasojnë reagimet dhe paralajmërimet e shteteve tw tjera.

Në një intervistë të publikuar në mediat gjermane Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka paralajmëruar Rusinë kundër rritjes së mbështetjes për presidentin sirian, Bashar al-Assad duke thënë se “nuk duhet të krijohet situatë e atillë që e bën të pamundshëm veprimin e përbashkët të komunitetit ndërkombëtar”.

Ai ka thënë se shpreson se Moska nuk bën përpjekje të “zgjasë luftën civile në Siri”. SHBA e cilëson strategjinë e Rusisë gabim të madh. 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se mbështetja e Rusisë për presidentin sirian, Bashar al-Assad, do të dështojë.

Sipas tij, përfshirja gjithnjë e më e madhe e Rusisë në Siri, tregon se Assadi është i brengosur. Uashingtoni po ashtu ka paralajmëruar se ushtria ruse në Siri mund të konfrontohet me koalicionin ndërkombëtar që kryen sulme ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Edhe Ministria e Jashtme e Suedisë ka thirrur në bisedë informative ambasadorin rus, pasi Moska ka kërcënuar me masa hakmarrëse vendin skandinav nëse i bashkohet NATO-s.

“Ne jemi shtet i pavarur dhe vendimet për sigurinë tonë i marrim në mënyrë të pavarur. Nuk pranojmë kërcënime dhe kam thirrur në bisedë informative ambasadorin rus për të kërkuar shpjegime”, ka thënë ministrja e Jashtme e Suedisë, Margot Wallstrom.

Opinioni publik në Suedi ka qenë për kohë të gjatë kundër anëtarësimit në NATO, por sondazhet e fundit kanë treguar rritje të mbështetjes, sidomos pas ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë.