Botë

Avionë rusë me “ndihma” arrijnë në Siri

13.09.2015 12:28

Media shtetërore siriane ka raportuar se dy aeroplanë rusë, me 80 tonelata ndihma humanitare, kanë arritur të shtunën në qytetin port të Sirisë, Latakia...

Në Moskë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë se ndihma humanitare përfshin materiale për ngritjen e një kampi tendë, si: shtretër, dyshekë, stufa, rezervuarë uji dhe ushqim për më shumë se 1,000 refugjatë. 

Ndihma e raportuar vjen në kohën kur Perëndimi është i shqetësuar për rritjen e aktivitetit ushtarak të Rusisë në Siri.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, ka thënë se Rusia është duke dërguar armë në Siri dhe se këshilltarët rusë janë duke trajnuar ushtrinë siriane për përdorimin e tyre.

Uashingtoni ka paralajmëruar se prania ushtarake e Rusisë në Siri mund të çojë në “konfrontim” me koalicionin ndërkombëtar që kryen sulme ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik.