PROKURORI SPECIAL
Palët afrojnë qëndrimet, por s’ka marrëveshje; Analistët: dështimi do të thellojë krizën
13.09.2015 17:23
Përfaqësuesit politik në Grupin punues kanë afruar qëndrimet rreth prokurorit special por akoma nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare...

Pas reterimit të opozitës maqedonase nga kërkesat e saj fillestare edhe VMRO DPMNE siç duket ka lëshuar pe.
Të gjitha palët janë gjithnjë e më afër propozimit të ndërmjetësuesve ndërkombëtar që prokurori special të ketë ekipin e tij të prokurorëve, të cilët sëbashku me të do të hetojnë materialet nga bisedat e përgjuara dhe rastin “Puç” ndërkaq, për numrin e skuadrës do të vendos vetë prokurori special.
Palët në Grupin punues po sqarojnë detajet, për të evituar pengesat e mundshme gjatë punës së prokurorit special.
Sipas analistit politik, Ismet Ramadani, prokurori special do te zgjidhet na afatin e caktuar.
“Ashtu siç pritej zgjedhja e Prokurorit special bëhet problem nga partia e cila është në pushtet, pra partia më e madhe VMRO DPMNE. Dihet shkaku pse obstruksionet janë të kësaj natyre. Për faktin se megjithatë çështjet që do t’i hap prokurori special do të tangojnë shumë funksionarë të lartë politikë dhe definitivisht pakënaqësinë e shprehin ata të cilët nuk duan që politika në përgjithësi të pastrohet nga kriminaliteti dhe korrupsioni”, shprehet analisti Ismet Ramadani.
Në nderkohë, analisti politik Osman Kadriu thotë se kriza në Maqedoni do të thellohet edhe më tej, nëse palët nënshkruese të Marrëveshjes politike, nuk bien dakord për prokurorin special, brenda afati. Për dështimin e Marrëveshjes politike do të jenë fajtorë vetë liderët e katër partive, nënshkrues të saj, thekson Kadriu.
“Përgjegjës do të jenë katër liderët e partive politike, për moszgjedhjen e prokurorit special. Kjo do të jetë edhe dështimi i tërë marrëveshjes politike, pasi do të vihet në pikëpyetje realizimi dhe zbatimi i saj, që në fund do të sjell si pasojë thellimin e krizës politike me shumë elemente të tjera: morale, kriza kushtetues, kriza ligjore, kriza e drejtësisë, kriza ekonomike, etj”, shprehet analisti politik Osman Kadriu.
Burime nga palët negocuese thonë se ka gjasa që marrëveshja të arrihet sonte, që propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për prokuror publik të futet në procedurë parlamentare ditën e hënë dhe prokurori special të zgjidhet brenda afatit.
SHPËTIM NUREDINI
