Botë
Kriza me emigrantët, Hungari, në një natë hyjnë 6 mijë klandestinë
14.09.2015 14:37
Hungaria arriti një rekord të ri emigrantësh. Brenda një dite, rreth 6 mijë klandestinë hynë nga kufiri me Serbinë...

Situata në kampin transit të Roszkes ishte e qetë në mëngjes, pasi policia dhe ushtria larguan me autobusë të gjithë emigrantët në drejtim të kufirit austriak.
Në kufi nisi patrullimi i policëve dhe ushtrisë të shoqëruar nga qentë dhe mjetet e blinduara. Qeveria hungareze ka paralajmëruar se duke filluar nga nesër, në bazë të ligjit të ri, kushdo që kalon kufirin në mënyrë të paligjshme do të arrestohet.
Edhe në kufirin austriak numri i klandestinëve po shtohet nga ora në orë, pasi emigrantët po përpiqen të largohen sa më shpejt nga Hungaria.
Fluksin e tyre e ka shtuar edhe fakti që Gjermania mbylli për 12 orë linjën hekurudhore me Austrinë, por e rihapi sërish sot në mëngjes.
Policia austriake thotë se gjatë ditës 10 mijë vetë e kaluan kufirin austro-hungarez në këmbë, ndërsa qindra të tjerë janë dyndur në stacionin e Vjenës.
Ushtria austriake ka vendosur të dislokojë trupat ushtarake për të përforcuar kufijtë. Të paktën 2,200 ushtarë do të ndihmojnë policinë.
Fluks klandestinësh ka pasur edhe në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë, ku emigrantët thonë se pas një rrugëtimi të vështirë në Mesdhe, do të vijojnë udhëtimin për në destinacionin final, që është Gjermania.
Kjo e fundit vendosi kontroll të përkohshëm të kufijve të saj me Austrinë për shkak të fluksit të madh të emigrantëve.
Kjo do të thotë rikthim i procedurave të rregullta të pranimit të të huajve në Gjermani. Autoritet pohojnë se në Gjermani nuk ka më kushte për pranimin e refugjatëve.
Sipas të dhënave, vetëm të shtunën në Munih kanë arritur mbi 13 mijë emigrantë.
Ndërkohë, Agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR, paralajmëroi se rregullat e ndryshme për kontrollin e kufijve mund të krijojnë “Status Quo” për mijëra refugjatë.
Për të përballur me këtë situatë dhe për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve, OKB propozon të krijohen qendra të mëdha pritëse.
REXHEP QAMILI
