Maqedoni

KE për Maqedoninë, Kristofersen: Keni marrë obligime, përfundojini

14.09.2015 14:59

Situata në Maqedoni po ndiqet edhe nga Këshilli i Evropës...

Raportuesja e sapoemëruar për Maqedoninë, Liz Kristofersen, thotë se Maqedonia momentalisht është para një situate të rëndë dhe nevojitet bashkëpunim më i madh i vendit me institucionet ndërkombëtare për tejkalimin e krizës. 
 
“Nuk e njoh në detaje situatën në Maqedoni, por e di se situata në Maqedoni për momentin është e komplikuar. Unë së shpejti  do të takohem me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë për të parë për së afërmi se cilat janë pikësynimet e Maqedonisë në të ardhmen”- deklaroi raportuesja për Maqedoninë në APKE, Liz Kristofersen.
 
Maqedonia, si anëtare e Këshillit të Evropës, duhet të kryej obligimet dhe detyrimet në fushën e sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të demokracisë, thotë për TVM Liz  Kristofersen.
 
“Me anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës, vendi ka marrë detyrime të caktuara në lidhje me të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Detyra jonë nuk është që të dënojmë dikë, detyra jonë është t’i ndihmojmë të gjithëve. Ne jemi raportues që do të mbikëqyrim dhe do të raportojmë atë që kemi parë. Ne nuk gjykojmë, por ne kemi institucione tjera në Këshill, të cilat e ndihmojnë vendin në post-monitoring, siç është Këshilli i Venecias”- tha Kristofersen.
 
Delegacioni i Këshillit të Evropës pritet ta vizitojë Maqedoninë pas gjysmës së parë të muajit të ardhshëm, pasi që Bashkimi Evropian të shpalos raport progresin për vendin.
 
Sipas raportueses Kristofersen, Maqedonia duket se ka shënuar progres në disa fusha dhe ka kaluar në fazën post–monitoring, që rrjedhimisht do të monitorohen vetëm çështjet ku Këshilli i Evropës konkludon se akoma ka nevojë për mbikëqyrje. 
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU