Maqedoni

“Holokausti”– tragjedi që nuk duhet harruar, historia duhet mësuar, që të mos përsëritet

14.09.2015 15:22

Qendra e Holokaustit në Shkup ka dërguar mesazhe të forta paqeje për të gjithë etnitetet...

Ajo që ndodhi gjatë luftës së dytë botërore me komunitetin hebraik duhet të jetë mësim për të gjithë brezat. Ai që mëson vetëm anët pozitive të historisë, nuk ka mësuar asgjë, thotë ambasadorja e Gjermanisë në Maqedoni, Kristina Allthauzer, duke shtuar se bota duhet të marrë mësim nga ajo që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore e të mos mbyllë sytë ndaj krizës më të re me të cilën po përballet.
 
“Nuk kemi vetëm një konflikt, por më shumë konflikte në të njëjtën kohë dhe mijëra njerëz janë detyruar të lënë shtëpitë e veta, të rrezikojnë jetën në rrugën e rrezikuar drejt vendeve evropiane ose në vende të tjera”- deklaroi ambasadorja e Gjermanisë në Maqedoni, Kristina Allthauzer.
 
Të ndërtohet bashkëjetesa dhe të kapërcehet jotoleranca, apelojnë nga Qendra Memorial e Holokaustit në Shkup.
 
“Duhet të theksojmë se rruga e bashkimit, përkujdesit të vlerave humanitare është rruga e vetme drejt së cilës duhet të ecë njerëzimi që të krijohet një botë ku të gjitha fetë, kombet dhe rasat do të jenë të bashkuara në ndërtimin e një shoqërie më të mirë”- tha drejtori i Qendrës Memoriale të Holokaustit të Hebrenjve në Maqedoni, Goran Sadikarijo.
 
Historia e komunitetit hebraik, tragjedia e tyre, faktet e dëbimit drejt kampeve të vdekjes së më shumë se 98% të popullsisë hebreje në Maqedoni gjatë Luftës së Dytë Botërore, duhet të bëhen pjesë e teksteve shkollore, për të mos lejuar që historia të përsëritet, vlerësojnë nga MASh-i.
 
“Përfshirja e materialeve që kanë të bëjnë me hebrenjtë në arsimin fillor dhe të mesëm është e kënaqshme, përkatësisht në librat e historisë dhe lëndëve të tjera që i punojnë këto përmbajtje, por mendoj se ka hapësirë edhe në të ardhmen  të pasurohen me përmbajtje të kësaj çështje”- tha këshilltari në Ministrinë E Arsimit, Safet Neziri.
 
Qendra Memoriale e Holokaustit në Shkup mëton të rritet në një qendër rajonale për hulumtime, edukime dhe kujtimin e Holokaustit si përkujtues të përjetshëm dhe dëshmi për këtë tragjedi.
 
FLORIJE KAMBERI