Maqedoni

BDI fillon llogaridhënien ndaj qytetarëve

14.09.2015 15:47

BDI filloi llogaridhënien për projektet e premtuara ndaj qytetarëve...

Me këtë rast, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi, dhe ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, vizituan Fondin Pensional Invalidor, Kontrollin e Fluturimeve dhe Spitalin e Gjinekologjisë në Çair, ku nga udhëheqësit e këtyre institucioneve u informuan për projektet e realizuara dhe përfaqësimin e shqiptarëve në këto institucione.
 
“Qëllimi është llogaridhënia e projekteve të cilat i ka premtuar BDI në platformën e saj dhe çka është realizuar deri më tani. Qëllimi i dytë është llogaridhënia e funksionarëve të BDI-së, duke filluar nga ministrat deri tek drejtorët e institucioneve”- tha ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
 
“Në të gjitha institucionet mesazhi do të përcillet se administratorët duhet të tregojnë sukses, duhet të jenë të zellshëm dhe ligji u garanton promovim sipas aspektit profesional dhe metodologji për përfaqësim të drejtë me qëllim që kjo të jetë në funksion të përparimit të administratës dhe politikat qytetarët t’i ndjejnë drejtpërdrejt”- theksoi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi.
 
Ndërkohë, drejtorët e tre institucioneve informuan për projektet e realizuara dhe përfaqësimin e shqiptarëve në këto institucione.
 
“Informova për ndryshimet e ligjit të cilat janë pozitive dhe në favor të qytetarëve, pasi që krijojnë mundësi që ata të shfrytëzojnë të drejtat e sigurimit pensional me blerjen e stazhit që nuk është paguar nga ndërmarrjet dhe ndryshimi i dytë me ligjin për shlyerje të kamatave dhe ndërmarrjet janë të interesuara të shfrytëzojnë këtë të drejtë”- deklaroi drejtori i Fondit Pensional, Amet Dauti.
 
“Një prej projekteve është avancimi  i shqiptarëve prej në 14 në 21% në institucione dhe pozita udhëheqëse dhe po ashtu rritja e numrit të të punësuarve”- theksoi drejtori i M-NAV, Migjen Selmani.
 
“Në spitalin tonë 46% janë maqedonas, 44% shqiptarë dhe me projekt u bë e mundur edhe rritja e kontratave me afat të papërcaktuar, prej të cilave 70 % janë shqiptarë”- tha drejtori i Spitalit Gjinekologjik, Bashkim Ismaili.
 
Llogaridhënia do vazhdojë edhe me funksionarë të tjerë, me qëllim që qytetarët të informohen për të gjitha projektet e parapara dhe realizimin e tyre.
 
FLUTURA LATIFI