Futboll

Superklasiko është e Boca Juniors

14.09.2015 16:15

Fitore për Boca Juniors dhe vendi i parë në klasifikim...

Ky është verdikti që u dha në një nga ndeshjet më të nxehta të planetit, Superklasikon e Argjentinës ku ekipi i Carlos Tevez arriti të siglonte një sukses të rëndësishëm në “Monumantalin” e armiqve të betuar të River Plate.

Një mbrëmje perfekte për Boca Juniors që falë një goli të shënuar nga Lodeiro në minutën e 19, bëri të vetin superklasikon numër 195 të historisë.

Një fitore kjo që fshin zhgënjimin e eleminimit nga Copa Libertadores në çerekfinale ku më pas River Plate u shpall kampion i Amerikës së Jugut. 

Në këtë mënyrë, Boca merr kryesimin e klasifikimit duke përfituar edhe nga ndalesa që i bëri San Lorenzo skuadrës së Huracan dhe 6 javë nga fundi kryeson me dy pikë më shumë.

Në krahun tjetër, “Milionarios” i kanë humbur shpresat për të kërkuar titullin pasi ndodhen të shkëputur plot 11 pikë nga vendi i parë.