Futboll

Guarin vendos derbin, Interi në krye

14.09.2015 16:20

Interi fitoi kreun e Serisë A dhe derbin me Milanin brenda 90 minutave, duke rigjetur suksesin në duelin ndërqytetase pas tre përballjesh...

Në “San Siro” vendosi një gol i jashtëzakonshëm i Fredy Guarin, i denjë për t’i dhënë fitoren 1-0 zikaltërve në sfidën më të ndjerë për tifozët e tyre, që merr akoma më shumë vlera dhe nga vendi i parë në renditje. 
 
Një sukses sipas stilit të Mancinit, me një Inter që shënon fiks një gol më shumë se kundërshtarët, për të tretën javë radhazi, por mjaftueshëm për të marrë një tjetër sukses në kampionat për një fillim sezoni, që zikaltërit e kishin harruar prej vitesh.  
 
Derbi këtë herë nuk zhgënjeu as në koreografi me dy tifozeritë që dhuruan spektakël dhe në tribuna me parrullat e tyre. Mesazhin e një sfide emocionuese e dha fillimsht Milani, me Luiz Adrianon që pati shansin e epërsisë që në minutat e para. 
 
Në të 17-tën brazliani i Milanit u ndal në rrugën drejt rrjetës nga një tjetër brazilian, Juan Jesus që bëri një ndërhyrje vendimtare duke shpëtuar Interin. 
 
Pjesa e parë ishte përgjithësisht në favor të Milanit, ndërkohë që rastin më të mirë e pati Jovetic në të 39-tën që goditi fortë ngjitur me shtyllën. 
 
Pjesa e dytë nisi me Interin më këmbëngulës, me Icardin që pati shansin që në sekondat e para, por i vetëm përballë Lopez gaboi
 
Atë që nuk bëri argjentinasi e bëri kolumbiani Guarin, që me një aksion personal lëshoi një të majtë të jashtëzakonshme në portën e Lopezit.
 
Mihajlovic hodhi në fushë dhe Balotellin që ndryshoi tërësisht lojën e kuqezinjve. Në të 75-tën, Super Mario mori krahun por mbrojtja e Interit mbylli në castin e fundit, ndërkohë që 3 minuta më pas ishte shtylla që ndali Balotellin. 
 
Sulmuesi i Milanit krijoi më shumë në pak minuta lojë me kuqezinjtë sesa një vit i tërë te Liverpooli dhe në të 82-tën, pa Handanovicin t’i mohonte një gol të sigurtë.
 
Gjithsesi ky ishte derbi i Interit dhe jo i Balotellit, me zikaltërit që morën 3 pikët ndërsa Mancini fitoi dhe sfidën me ish-asistetin e tij Sinisa Mihajlovic, që regjistron humbjen e dytë në 3 javë kampionat.