Maqedoni

Prokurori special, Arsovski: Nëse nuk ka marrëveshje, ndërkombëtarët do të emërtojnë prokurorin special

14.09.2015 17:02

Edhe pse afati për zgjedhjen e prokurorit special skadon nesër, ende nuk dihet asgjë, gjegjësisht a do të ketë marrëveshje rreth ligjit dhe a do të ketë emër konkret deri në orët e fundit të 15 shtatorit...

Sipas ekspertëve, të gjitha zhvillimet e deritanishme flasin se emërtimi i prokurorit special do të bëhet nën presion ndërkombëtar dhe besojnë se kjo do të ndodhë në orët në vazhdim, jo pas afatit. 
 
Sipas analistit politik, Petar Arsovski, nëse edhe përkundër presionit nuk arrihet marrëveshje, ndërkombëtarët do të propozojnë prokurorin special. 
 
“Komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë me presion deri në orët e fundit. Partitë politike nuk po respektojnë afatet finale dhe nuk po respektojnë marrëveshjen. Kjo nuk është mënyra e të biseduarit, pasi që ata vetëm humbin kohë. Gjithsesi, nëse partitë politike mbajnë të njëjtin qëndrim, atëherë besoj që ndërkombëtarët do të propozojnë prokurorin special. Marrëveshja e Przhinës është meritë e ndërkombëtarëve dhe s’do mend se ata nuk do të lejojnë që kjo marrëveshje të ngelet vetëm në letër, por do të kërkojnë implementimin e saj në tërësi”- deklaroi analisti politik, Petar Arsovski.
 
Arsevski, shprehet se katër partitë politike firmosën dokument ku qartë precizohen principet, format dhe afatet dhe të njëjtit duhet të respektojnë atë që kanë nënshkruar.
 
Edhe përkundër bisedimeve të grupeve punuese, të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me organizimin dhe funksionimin e prokurorisë speciale mbeten të hapura. 
 
SANIJE KASAMI