Maqedoni

Grupi punues, 12 pa 5, partitë larg zgjidhjes për prokuror special

14.09.2015 18:39

Në prezencë të ambasadorit të ShBA-ve, Xhes Bejli, dhe atij të BE-së, Aivo Orav, grupi punues në një format të ndryshuar...

Në prezencë të ambasadorit të ShBA-ve, Xhes Bejli, dhe atij të BE-së, Aivo Orav, grupi punues në një format të ndryshuar po bën përpjekje për arritjen e marrëveshjes për institucionin Prokuror Special, kandidatin e mundshëm dhe ekipin e tij. 
 
Burime nga brenda njoftojnë se ende nuk është arritur asgjë konkrete edhe pse vazhdimisht është njoftuar për avancim të bisedimeve dhe përafrim të qëndrimeve.
 
Sipas po këtyre burimeve, ende mbeten të hapura thuajse të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me organizimin dhe funksionimin e prokurorisë speciale. 
 
Para fillimit të takimit, pjesëmarrësit në grupin punues u shprehën optimistë për arritjen e një marrëveshjeje.
 
“Do të provojmë, gjithçka që mundemi. Bisedimet janë serioze”- tha Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
 
“Unë jam gjithmonë optimist”- theksoi ndërmjetësi, Piter Van Haute.
 
Por, pak ditë më parë, vetë Hojt deklaroi se problem kryesor gjatë bisedimeve është partia më e madhe, e cila sipas tij nuk e mban fjalën dhe nuk e respekton marrëveshjen. 
 
Jozyrtarisht mësohet se VMRO-DPMNE-ja vazhdon të kundërshtojë draftin e ligjit të hartuar nga Bashkimi Evropian.
 
Çështja kryesore edhe më tej mbetet ekipi i prokurorëve në kuadër të Prokurorisë Speciale.
 
Meqë paralelisht me draft ligjin kanë filluar të diskutohen edhe emrat e kandidatëve të mundshëm, prej sot në bisedime janë kyçur edhe anëtarë të tjerë nga partitë përkatëse. 
 
Konformë marrëveshjes politike të dy qershorit, afati përfundimtar për zgjedhjen e prokurorit special është nesër, 15 shtatori.
 
SHPËTIM NUREDINI