Botë

BE pajtohet për sistemimin e 32,000 refugjatëve

14.09.2015 19:36

Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian, gjatë takimit në Bruksel, kanë rënë dakord për sistemimin e fillimisht 32,000 refugjatëve...

Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian, gjatë takimit në Bruksel, kanë rënë dakord për sistemimin e fillimisht 32,000 refugjatëve, që aktualisht ndodhen në Itali dhe Greqi, në vende të tjera të BE-së.
 
Shifra është më pak se 40,000 sa ka kërkuar Komisioni Evropian në muajin maj dhe shumë më pak se 160,000 – për sa ka bërë thirrje presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, javën e kaluar.
 
Më 9 shtator, Juncker ka shpallur një plan emergjent për trajtimin e fluksit më të madh të migrantëve dhe azilkërkuesve në Evropë qysh nga Lufta e Dytë Botërore.
 
Sot, ai u ka bërë thirrje ministrave të Brendshëm të BE-së që të miratojnë programin e detyrueshëm për sistemimin e 160,000 refugjatëve në gjithë BE-në.
 
Programi përfshin kuota të detyrueshme për numrin e refugjatëve që secili vend i BE-së duhet të pranojë.
 
Franca dhe Gjermania, destinacionet kryesore për shumë migrantë, i mbështesin kuotat.
 
Por, disa vende të BE-së e kundërshtojnë sistemin e detyrueshëm, në mesin e tyre: Republika Çeke, Sllovakia dhe Hungaria./evropaelire