Maqedoni

Arrihet marrëveshja, Katica Janeva prokurorja speciale

15.09.2015 09:32

Grupet e punës më në fund arritën marrëveshjen e shumëpritur për prokurorin special. Ajo do të jetë Katica Janeva, prokurore nga Gjevgjelia...

Marrëveshja u arrit në orën 5 të mëngjesit jo vetëm për emrin e prokurorit special, por edhe për të gjitha pikat në ligjin e ri “lex specialis”, që do të rregullojë funksionimin dhe punën e prokurorit special.

Në ligjin e ri, përveç prokurorit special, parashikohet edhe zëvendës apo ndihmësprokurorë special, por numri i zëvendësprokurorëve nuk është përcaktuar.

Duket se palët kanë zgjedhur propozimin e BE-së që vetë prokurori special të caktojë ndihmësit e tij.

Gjithsesi, prokurori i ri special do të ketë autonomi të plotë dhe buxhet të veçantë. Ligji do të votohet sot në Kuvend.

Deputetët duhet të konfirmojnë edhe emërimin e Katica Janevës dhe ajo më pas do të emërohet nga Këshilli i Prokurorëve.

MIGENA GORENCA