Botë

Fluksi i emigrantëve, vendet Shengen rikthejnë kontrollet në kufi

15.09.2015 12:06

Vendimi për të rikthyer kontrollet në kufijtë e vendeve të Bashkimit Evropian po konsiderohet si një sfidë ndaj lëvizjes së lirë mes vendeve evropiane...

Kufizimet shkelin Marrëveshjen e Shengenit, më 14 qershor të 1985-s, kur shtetet anëtare të komunitetit ekonomik evropian: Belgjika, Franca, Republika Federale e Gjermanisë e paraunifikimit, Luksemburgu dhe Holanda hoqën kontrollet e brendshme kufitare. Konventa hyri në fuqi në vitin 1995.  

Tani zona Shengen është zgjeruar me 26 shtete firmëtare. Marrëveshja garanton lëvizjen e lirë për 417 milionë qytetarë dhe shume shtetas joevropianë brenda një sipërfaqeje prej 4 milionë km katrorë. 22 nga 28 shtetet anëtare të BE-së janë pjesë e Shengenit, plus 4 vende joanëtare.

Marrëveshja lejon një vend anëtar të pezullojë lirinë e lëvizjes dhe të rivendosë kontrollin si pasojë e rrethanave të jashtëzakonshme. Megjithatë, pezullimi i përkohshëm i marrëveshjes për lirinë e lëvizjes nuk mund të zgjasë më shumë se 30 ditë.

Në 2011, Franca riktheu kontrollet në kufirin me Italinë. Kjo masë shërbeu për të kufizuar fluksin e emigrantëve që u dyndën në Evropë nga ishulli i Lampeduzës, të cilëve autoritetet italiane u kishin dhënë leje të përkohshme qëndrimi. E njëjta gjë po ndodh edhe aktualisht, por këtë herë dyndja nuk është nga Italia, por nga Hungaria dhe Austria.

Për këtë të dyja këto vende kanë nisur aplikimin e kontrolleve në kufi dhe një gjë të ngjashme ka paralajmëruar edhe Gjermania. Gjatë muajve të fundit është rritur numri i evropianëve që kërkojnë ndryshime të Marrëveshjes Shengen, ndërkohë që Brukseli ka shprehur kundërshtitë e tij lidhur me atë që e cilëson si shpirtin e Unionit Evropian.