Botë

BE miraton sistemimin e 40 mijë azilkërkuesve, nuk fitojnë status refugjati azilkërkuesit nga Ballkani

15.09.2015 14:05

Bashkimi Evropian ra dakord në parim për shpërndarjen e 160 mijë refugjatëve në shtetet e Unionit, por ende mbeten disa mosmarrëveshje për rritjen e kontrolleve në kufi...

Disa shtete anëtare, veçanërisht të bllokut lindor, mbajtën të njëjtin qëndrim kundër kuotave për të lehtësuar Italinë, Greqinë, Gjermaninë dhe Hungarinë, të cilat janë duke mbajtur barrën e valës së emigrimit të Evropës.
 
Por, ajo që ministrat zyrtarisht miratuan fillimisht është sistemimi i 40.000 azilkërkuesve që ndodhen në Itali dhe Greqi.
 
Gjithashtu u ra dakord për krijimin e një liste të përbashkët të BE-së për vendet e sigurta të origjinës, e cila tani për tani përfshin vetëm vendet e Ballkanit Perëndimor.
 
Azilkërkuesit nga këto vende nuk do të fitojnë status refugjati. Lista do të ketë nevojë për aprovimin e Parlamentit Evropian dhe kështu miratimi i tij zyrtar nuk ka gjasa të ndodhë para tetorit.
 
“Sot kemi arritur një marrëveshje politike. Është një hap i parë i rëndësishëm, por është ende larg nga ajo që ne presim në kuptimin e plotë të solidaritetit në Evropë. Një tjetër vendim përfundimtar pritet në takimin e ministrave të Brendshëm më 8 tetor”- deklaroi ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas De Maiziere.
 
Rëndësi të madhe për ministrin e Brendshëm gjerman ka fakti i regjistrimit të refugjatëve me shenja gishtërinjsh në pikat ku ata hyjnë në Evropë, e ndërsa atyre që i është mohuar azili do të rikthehen në vendet e origjinës shumë shpejt.
 
Edhe misionet detare të shpëtimit do të shtohen, me qëllim shpëtimin e emigrantëve në det dhe pengimin e trafikantëve, të cilët tentojnë për të transportuar njerëz drejt brigjeve evropiane.
 
Situata e refugjatëve mbetet e tensionuar, pasi ata enden të paorientuar.
 
Gjermania, destinacioni i pjesës dërmuese të refugjatëve që vazhdojnë të mbërrijnë në Hungari nga Serbia, vendosi një ditë më parë mbylljen e përkohshme të kufirit me Austrinë.
 
Po ashtu edhe Budapesti së bashku me Vjenën vendosën të dislokojnë trupa ushtarake për menaxhimin e fluksit të madh të refugjatëve që kanë vërshuar në këto vende.