Maqedoni
Ademi: Jemi të gatshëm të bisedojmë, studentë, mos lejoni të keqpërdoreni politikisht
15.09.2015 15:31
Plenumi i Studentëve paralajmëroi se do të vazhdojë betejën e tyre për të mbrojtur të drejtat e studentëve...

Nga ky plenum thonë se problemet kryesore të tyre janë shtëpitë e studentëve, si dhe parlamenti studentor, i cili nuk mbron të drejtat e studentëve.
“Ne duam që t’i hapim të gjitha pyetjet e studentëve të cilat nevojiten që të hapen, por ende nuk janë të përmendura askund në shoqërinë tonë. Ne këtu porosisim se Plenumi i Studentëve vazhdon edhe këtë vit fuqimisht të luftojë kundër të gjitha problemeve që i kanë studentët, si: shtëpitë e studentëve në kushte të këqija dhe standardi i ulët i studentëve”- deklaroi Temin Haxhingikollski nga Plenumi i Studentëve.
Ndërkohë, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, theksoi se Ministria e Arsimit kishte filluar takimet me plenumin për të arritur marrëveshje, por për një moment plenumi është tërhequr.
Ai thotë se Ministria është e gatshme të vazhdojë bisedimet, por apelon që studentët të mos lejojnë të keqpërdoren politikisht.
“Kuptohet që në këtë ambient politik nëpër të cilin kalon Maqedonia, kur janë paralajmëruar edhe zgjedhjet e parakohshme nuk jam i bindur që do të mund që partitë politike dhe gjithë faktorët relevant në vend të kenë prioritet Ligjin për arsimin e lartë dhe nuk jam i bindur që ndoshta do të mund ta harmonizonim një tekst përfundimtar që të kalonte në parlament. Kështu që jam i hapur dhe jemi të hapur për bisedime, por pa pasur ndikime politike ose pa u keqpërdorur politikisht takimet dhe Ligji për arsimin e lartë”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Ademi thotë se qeveria është e gatshme të vazhdojë bisedimet për ta përfunduar konceptin për Ligjin e ri për arsimin e lartë dhe bashkërisht me palët e interesuara të definohet teksti i ligjit.
ERSAN PAJAZITI
