Maqedoni

Prokurori special, ja cilat janë kompetencat e Katica Janevës

15.09.2015 16:22

Prokurorja 50 vjeçare, Katica Janeva, deri më tani nuk është përfshirë në ndonjë proces të bujshëm gjyqësor...

Prokurorja 50 vjeçare, Katica Janeva, deri më tani nuk është përfshirë në ndonjë proces të bujshëm gjyqësor, por ka marrë pjesë në trajnime të ndryshme profesionale, mes të cilave edhe në ShBA dhe Evropë. Katica Janeva, si prokuror special do të ketë këto ingerenca:
 
- Pas formimit të Qendrës Hetimore, Janeva vetë do të vendosë për numrin e anëtarëve të ekipit; 
- Ajo do të ketë administratën e vet;
- Do të vendosë për buxhetin me të cilin do të disponojë Prokurori Special; 
- Do të jetë përgjegjëse për bisedat e përgjuara telefonike nga viti 2008 deri në vitin 2015.
 
Të gjithë personat e ekipit të ri i propozon ajo, ndërsa Këshilli i Prokurorëve vetëm i zgjedhë ata. 
 
“Prokurori special do të propozojë listë kandidatësh në Këshillin e Prokurorëve Publik nga radhët e prokurorëve aktualë për zgjedhje në Prokurorinë Publike. Këshilli do t’i zgjedhë prokurorët në seancë ku janë të pranishëm të paktën 2/3 nga numri i përgjithshëm i anëtarëve, me çka duhet të ketë edhe shumicë votash nga anëtarët që janë pjesë e bashkësive etnike që nuk janë shumicë”- thuhet në Nenin 9, alinenë 2 të propozim ligjit.
 
Prokurorja speciale, Katica Janeva, mund në çdo kohë dhe në çdo fazë të procedurës t’ia marrë cilëndo lëndë cilitdo prokurorë të Prokurorisë Publike. 
 
“Me kërkesë të Prokurorisë Speciale, prokurorët publikë janë të obliguar që në afat prej 8 ditësh të dorëzojnë cilëndo lëndë në të cilën punojnë, që të vendoset nëse lënda bën pjesë në kompetencat e Prokurorit Special Publik, në pajtim me kompetencat e  caktuara me këtë ligj”- thuhet në Nenin 11, alinenë 2 të propozim ligjit.
 
Brenda 3 ditëve, prokurores speciale dhe ekipit të saj duhet t’i sigurohet hapësirë, ata nuk duhet të jenë në të njëjtën ndërtesë ku është Prokuroria Themelore Publike, ndërsa për 35 ditë duhet t’u sigurohen mjete financiare për funksionimin normal.
 
Buxheti për 3 muajt e ardhshëm do të sigurohet me rialokim nga buxheti aktual i Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa për periudhën e mëvonshme do të miratohet buxhet i posaçëm në kuadër të buxhetit për vitin 2016.
 
Prokurorja speciale do të kërkojë ndihmë juridike ndërkombëtare dhe bashkëpunim rreth çështjeve që janë në kompetenca të saj, në pajtueshmëri me ligjin dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
 
SANIJE KASAMI