Maqedoni

Zgjedhja e prokurorit special, BE përshëndet arritjen e marrëveshjes

15.09.2015 17:03

Bashkimi Evropian përshëndet marrëveshjen e partive politike në Maqedoni për emërimin e prokurorit special...

Brukseli pret që prokurorit t’i sigurohet mbështetje në punën e tij në zbardhjen e përgjimeve dhe rastit “Puç”.
 
“Përshëndesim marrëveshjen që u arrit nga partitë politike herët në mëngjes në Shkup për zgjedhjen e prokurorit special, që siç e dini është element kryesor në marrëveshjen politike të lehtësuar nga eurokomisari Hahn dhe nga disa eurodeputetë në muajin qershor dhe korrik. Presim miratimin e ligjit relevant në parlament dhe presim që prokurori special të fitojë gjithë përkrahjen e nevojshme dhe ta plotësojë punën e rëndësishme që e ka para vetes”- deklaroi zëdhënësja e eurokomesarit për zgjerim, Maja Kociançiq.
 
Kociançiq rikonfirmoi ardhjen e eurokomisarit për zgjerim, Johanes Hahn, në Shkup ditën e premte, që i hap rrugë rifillimit të dialogut të nivelit të lartë mes Komisionit Evropian dhe Maqedonisë.
 
Edhe Ambasada amerikane ka përshëndetur marrëveshjen e sotshme për zgjedhjen e prokurorit special.
 
“Përgëzojmë partitë për marrëveshjen e arritur sot për zgjedhjen e  prokurorit publik për hetimin e krimeve që dalin dhe kanë të bëjnë me përmbajtjen e komunikimeve të përgjuara në mënyrë joligjore dhe për nominimin e Katica Janevës për këtë pozitë. Ky emërim paraqet hap të rëndësishëm drejt vërtetimit të përgjegjësisë. Shtetet e Bashkuara, së bashku me partnerët evropianë, do të vazhdojnë përkushtimin t’i ndihmojnë Maqedonisë në implementimin e Marrëveshjes së Përzhinës dhe në avancimin e saj drejt integrimit të plotë në institucionet euroatlantike si demokraci dinamike, përparimtare dhe shumëetnike”- thuhet në qëndrimin e Ambasadës amerikane.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU