Maqedoni

Ligji për ndihmë juridike pa pagesë, mjetet financiare pengesë në zbatimin e tij

15.09.2015 17:08

Për shkak të mjeteve të pamjaftueshme financiare të ndara nga buxheti shtetëror, Ligji për ndihmë juridike pa pagesë nuk po gjen zbatimin e duhur në praktikë...

Sipas analizave 18 mujore nga projektit  “Qasje deri tek drejtësia në vend”, prej 159 aplikimeve vetëm 51 qytetarë kanë arritur të fitojnë avokat që do të paguhet nga shteti dhe do t’i përfaqësojë ata në kontestet juridike. Edhe interesi i avokatëve për të punuar me këto raste është tejet i ulët.
 
“Kjo mungesë e vullnetit shfaqet në mospërmirësimin e buxhetit për këtë çështje në vazhdimësi dhe financat e ulëta prej përafërsisht 3 milion denarë që ndahen në nivel vjetor viteve të fundit. Sipas analizave, këto mjetë janë larg asaj që janë të mjaftueshme”- deklaroi koordinatori i projektit, Aleksandar Stojanovski.
 
“Për momentin shumë kërkues të ndihmës juridike nuk marrin aspak ndihmë juridike, apo e fitojnë atë shumë vonë pasi të skadojnë afatet ligjore për të vepruar. Në vitin 2014, raporti i një Komisioni në Këshillin e Evropës për efikasitet ligjor tha se vendi juaj ka një nga buxhetet më të vogla për ndihmë juridike në gjithë territorin që përfshin Këshilli i Evropës”- tha Martin Kllauke nga Delegacioni i BE-së.
 
Sipas përfaqësuesit nga Ministria e Drejtësisë, Milazim Mustafa, është paraparë rritje e efikasitetit dhe avancim i cilësisë në dhënien e kësaj ndihme.
 
Ligji është miratuar në dhjetor të viti 2009, ndërsa ka filluar të zbatohet në qershor të vitit 2010.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI