Maqedoni
Kuvendi miratoi Ligjin për “Prokuror Special”, kandidate konsensuale është Katica Janeva
15.09.2015 18:19
Pas takimeve maratonike për gjetjen e kornizës juridike për prokurorin special dhe kandidatin që do të mbajë timonin e këtij organi...

Pas takimeve maratonike për gjetjen e kornizës juridike për prokurorin special dhe kandidatin që do të mbajë timonin e këtij organi, grupi punues arriti marrëveshje për propozim-ligj për Prokurori Publike për përndjekjen e veprave penale, të cilat kanë të bëjnë dhe rezultojnë nga përmbajtja e ndjekjes së paligjshme të komunikimeve.
Veç kornizës ligjore, palët kanë arritur konsensus që për prokuror special të kandidojnë prokuroren, Katica Janeva, shef i Prokurorisë në Gjevgjeli. Propozim-ligji u parashtrua në Kuvend nga Ilija Dimovski, Talat Xhaferi, Goran Sugareski dhe Imer Aliu për procedim me procedurë urgjente.
Deputetët përshëndetën marrëveshjen e arritur mes palëve të përfshira në grupin punues për zbatimin e marrëveshjes politike.
Sipas VMRO-DPMNE-së, me arritjen e marrëveshjes i gjithë procesi vihet në korniza ligjore.
“Miratimi i këtij ligji paraqet përgjegjësi të madhe për të gjithë propozuesit, për të gjithë që morën pjesë në përgatitjen e tij dhe për të gjithë deputetët në Kuvendin e RM-së, por paraqet përgjegjësi para së gjithash për vënien e interesave shtetërore si prioritet para atyre personale. Kjo d.m.th. sqarim i të gjitha spekulimeve dhe manipulimeve që i dëgjuam gjatë kësaj periudhe në RM”- deklaroi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Edhe LSDM ishte e kënaqur nga marrëveshja, por nuk përjashtoi mundësinë për përpjekje të tjera të pushtetit për të bërë abstruksione.
“Miratimi i këtij ligji nuk d.m.th. se çështja është mbyllur, pasi ky nuk është fundi, nuk është as fillimi i fundit, ky është fundi i fillimit. Lufta për demokratizimin dhe normalizimin e RM-së është imperativ i LSDM-së dhe opinionit publik demokratik. Nuk do të ndalemi deri në realizimin e këtij synimi”- tha Petre Shilegov nga LSDM.
Edhe BDI përshëndet arritjen e marrëveshjes dhe konsensusin e gjerë politik për të mbyllur këtë çështje.
Talat Xhaferi ftoi Kuvendin që të ushtrojë detyrën e tij për të kontrolluar institucionet, që të mos paraqiten kriza të tilla, për zgjidhjen e të cilave Maqedonia vazhdimisht ka nevojë për ndihmë ndërkombëtare.
“Për fat të keq për njëzet e ca vjet pavarësi të këtij shteti nuk jemi mësuar vetë t’i miratojmë. Nuk jemi mësuar vetë t’i bëjmë, por gjithnjë e kemi për nevojë që këtë ta bëjmë nën trysni të faktorit ndërkombëtar. Me ç’rast më lejoni t’i falënderoj”- theksoi Talat Xhaferi nga BDI.
Sipas PDSh-së, kjo marrëveshje nuk do të ketë vlerë nëse nuk mundësohen zgjedhje korrekte dhe demokratike.
“Vlerësojmë se edhe kjo marrëveshje për prokurorin nuk do të ketë asnjë vlerë pa eliminimin e mundësisë së manipulimit dhe falsifikimit të zgjedhjeve si dhe rezultatet e llojit 20.000 me 200, 700 me 2 apo 300 me 0, pasi që zgjedhjet e kriminalizuara prodhojnë institucione të kriminalizuara”- tha Imer Aliu nga PDSh.
Propozim-ligji për Prokurori Publike për përndjekjen e veprave penale, të cilat kanë të bëjnë dhe rezultojnë nga përmbajtja e ndjekjes së paligjshme të komunikimeve, u miratuar njëzëri, me 111 vota pro.
SHPËTIM NUREDINI
