Botë
Refugjatët "e okupuan" stacionin qendror të autobusave në Stamboll
15.09.2015 19:27
Disa qindra migrantë, shumica sirianë, sot arritën në stacionin qendror të autobusave në Stamboll...

Disa qindra migrantë, shumica sirianë, sot arritën në stacionin qendror të autobusave në Stamboll, duke shpresuar se prej atje me autobusë do të nisen për në qytetin Edirne, që gjendet në trekëndëshin e kufirit turk me Greqinë dhe Bullgarinë.
Siç lajmëruan mediumet turke, në përpjekje për të ndaluar valën e refugjatëve, autoritetet i kanë anuluar të gjitha linjat e autobusëve nga Stambolli në Edirne.
Disa emigrantë kanë deklaruar se në qoftë se nuk do të mund të hipin në autobus, janë të gatshëm në këmbë të shkojnë në Edirne dhe në kufirin me Greqinë, i cili ndodhet rreth 300 kilometra nga Stambolli.
Migrantët kanë brohoritur "Na shpëtoni nga mbytja," duke iu referuar numrit të madh të rasteve të vdekjeve në përpjekjet e refugjatëve që me rrugë detare të arrijnë nga Turqia në territorin e Greqisë.
Ata njoftuan se janë të gatshëm të organizojnë grevë dhe bllokada në zonat në kufi me Greqinë, në mënyrë që t'i bëjnë presion autoriteteve për t'i lejuar "të hyjnë në Evropë në rrugë tokësore."
Forcat turke të sigurisë sot kanë kapur disa qindra refugjatë, shumica sirianë, të cilët kanë lëvizur nëpër kufirin e Turqisë me Greqinë. Pjesëtarë të xhandarmërisë turke i kanë kapur refugjatët, në mesin e të cilëve ka edhe një numër të madh të grave dhe fëmijëve, në afërsi të Edirnes, rreth 30 kilometra nga kufiri me Greqinë.
Refugjatët kanë deklaruar se qëllimi i tyre është që të hyjnë në Greqi, ku ata mendojnë se do të kenë kushte më të mira për jetë se në Turqi.
Që nga shpërthimi i luftës civile në Siri, rreth dy milionë sirianë kanë gjetur strehim në territorin e Turqisë, duke fituar statusin e refugjatit. Por kushtet e dobëta në të cilat jetojnë në kampet e refugjatëve, detyruan shumë sirianë të tentojnë të shkojnë në Evropën Perëndimore, duke përdorur anije të pasigurta që të arrijnë në ishujt grekë në Detin Egje.
Kapja e refugjatëve në afërsi të Edirnes tregon se ata tani mund të tentojnë të largohen nga Turqia në Greqi edhe nëpër rrugë tokësore, me çka do të krijohet një rrugë e re tokësore për lëvizjen e emigrantëve dhe potencialisht një krizë e re e refugjatëve në kufirin turko-grek.
Të paktën 22 persona e humbën jetën sot kur anija në të cilën ata gjendeshin u përmbys në ujërat e Detit Egje në afërsi të bregdetit turk.
