Maqedoni

Kriza me refugjatët, emigrantët kërkojnë mënyra të reja për në BE, mbrëmë në Tabanoc kaluan 2 mijë emigrantë

16.09.2015 13:12

Numri i refugjatëve që transitojnë në vendin tonë ka rënë ndjeshëm...

Numri i refugjatëve që transitojnë në vendin tonë ka rënë ndjeshëm, kjo për shkak ndoshta edhe të ligjit të ri që nga dita e djeshme ka hyrë në fuqi në Hungari e që ndalon kalimin e refugjatëve pa dokumente të vlefshme udhëtimi.

2 mijë njerëz kanë kaluar mbrëmë kufirin në Tababoc, me shpresën të kalojnë kufirin hungarez para fillimit të implementimit të ligjit të ri.

Por, siç po duket refugjatët po kërkojnë mundësi të tjera për të kaluar kufirin Serbi-Hungari. Qindra emigrantë të rinj kanë kaluar natën në kufirin e mbyllur midis Hungarisë dhe Serbisë. 

Mediat serbe thonë se autobusët po bëhen gati të nisen drejt Kroacisë, pasi emigrantët planifikojnë të kalojnë në Slloveni, Austri dhe në fund në Gjermani.

Ka po ashtu raporte se Rumania mund të bëhet një rrugë e re drejt Bashkimit Evropian.

Në përpjekje për të ndaluar emigrantët, Hungaria ka mbyllur tërësisht kufirin me Serbinë, duke ngritur gardh me tela dhe duke vendosur kordonë policorë.

Mbi gjysmë milioni emigrantë nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika kanë kaluar kufirin e Bashkimit Evropian këtë vit.

Ministrat e Brendshëm të BE-së pritet të mblidhen në një takim urgjent më 22 shtator për të diskutuar krizën.

Shtetet lindore të bllokut, si Hungaria, Çekia, Sllovakia kundërshtojnë planin e Komisionit Evropian për shpërndarjen e emigrantëve në bazë të kuotave të detyrueshme.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, vendi i së cilës është destinacioni kryesor për emigrantët, ka kërkuar veprim të përbashkët.