Maqedoni

Prokurorja speciale: Punën do ta kryej me përgjegjësi dhe paanshmëri

16.09.2015 14:45

Prokurorja speciale, Katica Janeva, sot para Këshillit të Prokurorëve ka dhënë deklaratë solemne se në mënyrë profesionale dhe të paanshme do ta kryej funksionin e saj...

Sipas ligjit, i cili u miratua mbrëmë, prokurores i është dhënë afat kohor prej 18 muajve për t’i mbaruar hetimet dhe të ngrit akuza për veprat penale të cilat dalin nga përgjimet.
 
“Deklaroj dhe betohem se në kryerjen e funksionit prokuror publik do të respektoj Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në pajtueshmëri me kushtetutën dhe se funksionin do ta kryej me vetëdije, me paanshmëri dhe me përgjegjësi, do t’i mbrojë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe qytetarit, si dhe interesat e subjekteve tjera juridike”- deklaroi prokurorja speciale, Katica Janeva.
 
Për zgjedhjen dhe besimin që i është dhënë Janevës, ajo falënderoi partitë dhe faktorin ndërkombëtar, ndërsa paralajmëroi se së shpejti do të fillojë me shqyrtimin e rasteve.
 
“Falënderoj të gjithë faktorët politikë dhe ato ndërkombëtarë të cilët qëndruan mbas zgjedhjes sime si prokuror special publik. Falënderoj këshillin që më votoi. Sot qëndroj para jush e vetme, ndërsa për një muaj do të më shihni me ekipin tim pas meje, ku do t’i marrim rastet që janë në kompetenca të Prokurorisë Speciale Publike dhe do të fillojmë me punë”- tha Janeva.
 
Kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski, porositi prokuroren Janeva se duhet t’i arsyetojë pritjet e të gjithëve sepse tani ajo është kryesorja në këtë punë.
 
Sipas ligjit, që mbrëmë u miratua në kuvend, prokurorja speciale ka autonomi të plotë në punën e saj, ajo vetëm duhet të propozojë se sa zëvendës të saj do të ketë nga radhët e prokurorëve aktual, të cilët nuk do të kenë autorizim të japin urdhra për prangosje dhe për nënshkrim të akuzave. 
 
Janeva vjen nga Prokuroria Publike e Gjevgjelisë, ndërsa për zgjedhjen e saj është dhënë pëlqim nga qeveria dhe opozita.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI