Maqedoni
“Magjar Telekom”, Ahmeti: Shpifësit do të përballen me gjyq
16.09.2015 15:53
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, nuk i frikohet aferës “Magjar Telekom”, ku përmendet edhe emri i tij për mitmarrje...

Sipas tij, kjo është çështje që i takon Gjykatës Administrative amerikane rreth një kontesti mes ShBA-ve dhe Gjermanisë për Telekomin gjerman, ndërsa emri i tij përmendet vetëm për të njollosur figurën e tij dhe subjektin që përfaqëson.
Ahmeti kërcënoi me përballje gjyqësore të gjithë ata që, sipas tij, po përpiqen të denigrojnë atë dhe politikat e BDI-së.
“E mira do ishte që ky proces të zbardhet deri në fund dhe të gjithë ata që e shfrytëzojnë për të denigruar politikat e BDI-së, për të denigruar edhe figurën time personale do të përballen edhe me gjyq, për shpifjet që i bëjnë në momente shumë të rëndësishme vendimtare për politikat se si do të drejtohen në RM”- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ndërkaq, sa i përket aferës me përgjimet e paligjshme, Ahmeti shprehet i sigurt se prokurorja speciale do të zbatojë ligjin dhe do të hetojë veprat penale, të cilat kanë të bëjnë dhe rezultojnë nga përmbajtja e ndjekjes së paligjshme të komunikimeve.
“Të gjitha çështjet janë përfshirë në ligj. Edhe obligimet e prokurorit special, detyrimet që ka ajo ndaj institucioneve, ndaj qytetarëve, të gjitha janë të sanksionuara me ligj dhe prokurori special duhet të zbatojë ligjin me përpikmëri”- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Nga sot, Maqedonia përveç Prokurorisë Publike ka edhe Prokurori Publike për Përndjekjen e Veprave Penale, të cilat kanë të bëjnë dhe rezultojnë nga përmbajtja e ndjekjes së paligjshme të komunikimeve.
Prokurorja speciale, Katica Janeva, u betua dhe paralajmëroi se brenda një muaji do të ketë edhe ekipin.
Menjëherë pas ekipimit do të kërkojë materialet nga Prokuroria Publike për të nisur hetimet.
SHPËTIM NUREDINI
