Maqedoni
Gruevski: Do të ndërtohet shtëpi për pleq me pensione të ulëta
16.09.2015 16:42
Personat e moshuar të cilët kanë pensione të ulëta dhe nuk munden të vendosen në shtëpitë private të pleqve, në të ardhmen do të pranohen tek institucioni i ri për pleq...

Këtë risi e paralajmëroi kryeministri, Nikolla Gruevski, sipas të cilit qeveria planifikon ndërtimin e shtëpisë së pleqve në mënyrë që të gjithë ata pleq që kanë nevojë për përkujdesje të drejtohen në këtë institucion.
“Dëshirojmë të ndihmojmë që të rritet kapaciteti i shtëpive për pleq, por nuk duam të jemi konkurrencë e shtëpive private për pleq. Ato përkujdesen për pleqtë që kanë nevojë për shtëpi pleqsh, por nuk bëjnë asgjë për pensionerët që kanë pensione të ulëta dhe nuk posedojnë pronë. Vendimi ynë është që të ndërtojmë shtëpi për pleq fillimisht në Shkup, e më pas edhe në qytetet tjera të vendit”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
Sipas Gruevskit, viteve të kaluara janë hapur 17 shtëpi për pleq të cilat absorbojnë 600 persona.
Ndërkohë, qeveria planifikon ndërtimin e objektit të ri i cili do të realizohet në tre faza.
Faza e parë do t’u dedikohet 170 personave dhe do të kushtojë 1 milion euro.
Gjatë vitit të ardhshëm do të shpallet thirrje publike dhe do të fillojë ndërtimi i shtëpisë për pleq.
FLUTURA LATIFI
