Maqedoni

Prokurori special, analistët të rezervuar: S’ka punuar lëndë të rënda

16.09.2015 17:02

Prokurorja nga Gjevgjelia, Katica Janeva, ishte zgjedhja e katër partive politike, VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së dhe PDSH-së...

Prokurorja nga Gjevgjelia, Katica Janeva, ishte zgjedhja e katër partive politike, VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së dhe PDSH-së, me ç’rast respektuan obligimin e dalë nga marrëveshja politike që prokurori special të zgjidhet deri më 15 shtator.  
 
Edhe pse Janeva do të punojë në lëndët lidhur me përgjimet dhe rastin “Puç”, analistët politikë janë të rezervuar lidhur me punën e saj, pasi që ajo deri më tani nuk ka punuar në lëndë të rënda penale.
 
Sipas analistit politik, Ibrahim Mehmetit, fakti që prokurorja speciale ka kryer me sukses trajnime ndërkombëtare në fushën e krimit të organizuar nuk është domethënës, pasi që rastet të cilat ajo do t’i hetojë janë tejet të ndërlikuara. 
 
“Mungesa e eksperiencës dhe e një protofolio më të begatshme mund të tregohet më vonë si problem, mirëpo unë besoj se këtë e kanë pasur parasysh edhe ata që e kanë propozuar. Shpresoj se ka pasur arsye të mjaftueshme që e kanë përzgjedhur pikërisht këtë person. Mund të supozojmë që ndoshta nuk ka pasur zgjidhje tjetër konsensuale dhe ndonjëherë duhet të arrihet konsensusi mes palëve. Ne na mbetet ta përcjellim punën dhe do të shohim pastaj se si do jetë. Trajnime mund të përcjell çdokush, ajo është vetëm një pjesë nga roli që luan prokurori publik. Ne duhet të masim rezultatin nga puna e saj”- deklaroi analisti politik, Ibrahim Mehmeti.
 
Sipas Mehmetit, për momentin nuk mund të flitet për kohën e akuzave të para, por sigurisht që publiku pret kjo të ndodhë së shpejti.
 
Ai thotë se tani është shumë më me rëndësi që hetimet e para të kryhen në mënyrë kualitative, sepse vetëm kështu mund të presim akuza cilësore dhe zgjidhje të suksesshme gjyqësore.
 
SANIJE KASAMI