Maqedoni

Gruevski nuk i frikësohet prokurores speciale

16.09.2015 17:36

Kryeministri, Nikolla Gruevski, tha se prokurorja speciale duhet të bëjë punën e saj dhe në pyetjen se a frikësohet nga prokurorja speciale Gruevski tha që nuk i frikësohet...

I pyetur se a mundet që në mënyrë objektive të udhëheq procesin një prokurore që është zgjedhur nga të dyja palët, Gruevski dha lëtë përgjigje:
“Unë lidhur me këtë çështje bëra një deklaratë, nuk kam çfarë të deklaroj diçka tjetër”.
 
Ndërkohë, se a frikësohet se prokurorja mund të ngrejë padi kundër tij, Gruevski e mohoi një gjë të tillë.
 
“Gjithsesi se nuk frikësohem, pasi edhe nuk kam nga çka të frikësohem”- tha ai.
 
Edhe kriminalitetin e mundshëm të VMRO-DPMNE-së lidhur me aferën “Magjar Telekom” Gruevski e hedhi poshtë, sepse, sipas tij, në 2006-tën qeveria zgjodhi operator të tretë mobil.
 
“Kam lexuar nëpër mediume për të gjitha komentet e Bogoevskit. Por t’iu rikujtoj se VMRO-DPMNE deri sa ishte në opozitë apelonte që të liberalizohet sektori i telekomunikacionit. Kjo gjë nuk është bërë nga LSDM, e cila kishte shumicën në parlament. Në 2006-tën premtuam se në 60 ditët e para do të shpallet thirrje publike për operatorin e tretë mobil”- tha kryeministri, Nikolla Gruevski.
 
Sipas Gruevskit, kjo rezultoi me zgjedhjen e operatorit të tretë publik dhe çmimet e shërbimeve u ulën menjëherë.
 
FLUTURA LATIFI