Maqedoni

Popovski në Bruksel: Maqedonisë do ti njihen të ariturat në Varshavë

16.09.2015 18:42

Maqedonia 7 vite pas Marrëveshjes së Bukureshtit nuk është anëtare e NATO-s, si pasojë e mosmarrëveshjes së kontestit me emrin me Greqinë...

Fqinji jugor aspak nuk i përjeton shtypjet që i vijnë nga ndërkombëtarët. Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm, Nikolla Popvski, pas takimeve bilaterale me autoritetet e NATO-s. 
 
“Në këtë pjesë, hendikepi më i madh është se Greqia nuk ndjen shtypje të veçantë nga bllokada  ndaj Maqedonisë. Nga ana tjetër, për ne qasja më e mirë është të punojmë në përmirësimin e raporteve,  në afrimin e vendeve dhe në atë mënyrë të krijojmë klimë më të mirë në momentin kur mund të përfshihemi në NATO”- deklaroi ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.
 
Autoritetet e NATO-s kanë përshëndetur dialogun politik në vend dhe hapat që bëhen  për tejkalimin e krizës dhe krijimin e klimës ku mund të funksionojnë të gjitha institucionet, përfshirë edhe parlamentin që ishte më parë jofunksional në tërësi, theksoi Popovski.
 
Për sa i përket anëtarësimit në NATO, Popovski tha se pritjet janë që në Samitin e Varshavës Maqedonisë t’i njihen të arriturat e deritanishme, por, sipas tij, pa kompromis të vendeve anëtare të NATO-s edhe ky rast do të jetë shumë i vështirë.
 
Këto komente ministri Popovski i bëri pas takimit të tij me autoritetet e paktit veriatlantik, ku po merr pjesë në takimin e 16 me radhë në Bruksel me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s.
 
NERMIN MULAKU-FEJZULLAHU