Botë
5650 emigrantë kanë hyrë në Kroaci
17.09.2015 12:24
Policia në Kroaci ka thënë se deri tash në këtë vend kanë hyrë 5650 emigrantë...

Pas mbylljes së kufirit me Hungarinë, emigrantët ishin të detyruar të kërkonin rrugë të reja, duke udhëtuar nga Serbia për në Kroaci.
Policia ka thënë se emigrantët po hyjnë nga pika të ndryshme kufitare. Kroacia po i transporton ata tek qendrat e migrimit, përreth kryeqytetit Zagreb, pas regjistrimit.
Ministri i Brendshëm kroat, Ranko Ostojiq, ka thënë se duhet të shqyrtohen masa të reja nëse numri i emigrantëve rritet.
Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban ki Moon, ka thënë se është ndjerë “i shokuar” pas veprimeve të fundit të policisë hungareze ndaj emigrantëve. Ban ka thënë se një veprim i tillë ndaj azilkërkuesve është i “papranueshëm”.
Ai më tutje ka shpjeguar se emigrantët po rrezikojnë jetën e tyre për një të ardhme më të mirë. Emigrantët “duhet të trajtohen me njerëzi dhe humanitet”.
